
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti ukrainas, Vladimir Zelensky, nuk ka pasur kurrë pozita reale negociuese për të arritur paqen me Rusinë, duke theksuar se “nuk ka asnjë letër në dorë që nga dita e parë”.
Komentet Trump i bëri në një intervistë për New York Times, e publikuar e plotë të dielën, ku foli për përpjekjet e Uashingtonit për të ndërmjetësuar fundin e luftës në Ukrainë. Ai iu referua edhe planit amerikan të paqes me 28 pika, i cili u rrjedh në publik dhe parashikonte, mes të tjerash, dorëzimin e pjesës së mbetur të Donbasit Rusisë, heqjen dorë të Kievit nga ambiciet për anëtarësim në NATO dhe kufizime mbi kapacitetet e ushtrisë ukrainase.
Plani u kritikua ashpër nga autoritetet ukrainase dhe nga disa aleatë perëndimorë si i njëanshëm në favor të Moskës dhe më pas u reduktua në 20 pika. Megjithatë, çështjet thelbësore mbeten të pazgjidhura, me Zelenskyn që vazhdon të refuzojë lëshime territoriale.
Gjatë intervistës, gazetari i rikujtoi Trumpit debatin e tij të famshëm në Shtëpinë e Bardhë me Zelenskyn, kur ai i kishte thënë presidentit ukrainas se “nuk i kishte letrat në dorë”. I pyetur nëse situata kishte ndryshuar, Trump u përgjigj prerë: “Jo. Ai nuk i ka letrat. Nuk i ka pasur që nga dita e parë. Ai ka vetëm një gjë – Donald Trump-in.”
Trump këmbënguli se roli i tij është kyç për procesin e paqes dhe se ndërhyrja e tij ka shmangur një përshkallëzim shumë më të madh të konfliktit. “Pa përfshirjen time, kjo mund të kishte përfunduar në një katastrofë totale. Mund të kishte evoluar në Luftën e Tretë Botërore. Kjo nuk do të ndodhë,” tha ai.
I pyetur për një afat konkret për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, Trump u shpreh i rezervuar. “Nuk kam një afat. Po bëjmë më të mirën që mundemi. Thjesht dua të shoh fundin e luftës,” deklaroi ai, duke shtuar se si presidenti rus Vladimir Putin, ashtu edhe Zelensky, duken të hapur për një zgjidhje, por se kjo mbetet për t’u verifikuar, shkruan Rt.
Muajin e kaluar, Trump u takua me Zelenskyn në Miami dhe deklaroi se një marrëveshje paqeje ishte “95% gati”, vlerësim që më pas u përsërit edhe nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Megjithatë, autoritetet ukrainase dhe vendet e të ashtuquajturit “koalicion i të vullnetshmëve” në Evropën Perëndimore kanë rënë dakord që të shqyrtojnë vendosjen e trupave në Ukrainë si garanci sigurie pas një marrëveshjeje, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Rusisë. I dërguari amerikan Steve Witkoff nuk ka konfirmuar ndonjë rol të SHBA-së në këtë nismë, ndërsa Trump ka përjashtuar më herët dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë.
Moska ka reaguar ashpër ndaj këtyre planeve. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi javën e kaluar se çdo vendosje e trupave perëndimore në Ukrainë do të konsiderohej “ndërhyrje e huaj”.