
Në gjykatën kompetente u zhvillua seanca e radhës në procesin ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili vijon të gjykohet në mungesë për dosjen e njohur si “Buka”.
Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa seanca u karakterizua nga debate mes mbrojtjes dhe përfaqësuesit të SPAK.
Avokati i Ahmetajt, Henrik Ligori, dorëzoi disa kërkesa për marrje provash dhe dëshmitarësh, duke theksuar se klienti i tij e konsideron të pavërtetë akuzën dhe e cilëson procesin politik.
Ai kërkoi që ish-zv.kryeministri të pyetet përmes videokonference, të administrohen prova shkresore, të thirren ekspertët që kanë kryer akt-ekspertimin teknik dhe kontabël, si dhe të thirren si dëshmitarë ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe zyrtarë të tjerë.
Po ashtu, mbrojtja kërkoi marrjen e të gjitha akteve juridike dhe dokumentacionit mbi “Buka” SHA.
Gjykata i kërkoi prokurorit të SPAK, Elvin Gokaj, të sqarojë cilat veprime dhe mosveprime të Ahmetajt, sipas akuzës, përbëjnë shpërdorim detyre.
Prokurori deklaroi se dosja përmban vendime gjykatash që i japin të drejtë familjes Myderizi, të dëmtuarit në këtë çështje.
Ai shtoi se Ahmetaj ka caktuar vetë dy ekspertë të çështjes, ndërsa akt-ekspertimi paraqet kontradikta dhe se ish-ministri ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësuesi i familjes Myderizi, Adrian Myderizi, akuzoi mbrojtjen se po përpiqet të komplikojë procesin, duke theksuar se bëhet fjalë për “shkelje të pastër të detyrës”.
Ai theksoi se familja ka fituar gjyqin me vendim të formës së prerë dhe se vlera e pronës është llogaritur shumë më poshtë çmimit real të tregut, duke krijuar mundësi për abuzime.
Familja, tha ai, prej 30 vitesh kërkon pronën në rrugë gjyqësore pavarësisht fitimit të proceseve.
Në përfundim, gjykata vendosi shtyrjen e seancës për datën 27 janar, në mënyrë që SPAK të shprehet mbi kërkesat për prova dhe dëshmitarë të paraqitura nga mbrojtja e Arben Ahmetajt.