
Para takimeve të tensionuara në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi hapur se ishulli arktik nuk do të pranojë asnjë lloj kontrolli nga Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se zgjedhja e tij është Danimarka dhe aleanca perëndimore, raporton The Guardian.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, Nielsen theksoi se Groenlanda përballet me një krizë gjeopolitike dhe se qëndrimi i saj është i qartë: “Nëse duhet të zgjedhim mes SHBA-së dhe Danimarkës, këtu dhe tani, zgjedhim Danimarkën, NATO-n dhe BE-në. Grenlanda nuk do të zotërohet dhe as qeveriset nga SHBA.”
Deklaratat e tij vijnë në një moment ku presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën për marrjen nën kontroll të territorit strategjik dhe të pasur me minerale.
Trump e ka ngritur idenë e “blerjes” së Groenlandës që në vitin 2019, por këtë muaj ka shtuar presionin duke thënë se SHBA-të do ta marrin “me çdo mënyrë”.
Takim i nivelit të lartë në Washington
Të mërkurën, në Uashington do të mbahet një takim kyç i ndërmjetësuar nga nënpresidenti JD Vance, me pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm të Grenlandës dhe Danimarkës, si dhe sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio.
Objektivi i takimit është qetësimi i tensioneve dhe shmangia e një krize të paprecedentë mes aleatëve të NATO-s.
Frika është rritur në Evropë, pasi Trump nuk ka përjashtuar as përdorimin e forcës për të marrë nën kontroll territorin që aktualisht mbrohet nga NATO për shkak të anëtarësisë së Danimarkës.
Frederiksen tha se Danimarka po përballet me “presion të plotësisht të papranueshëm nga aleati më i afërt”, teksa theksoi se parimet themelore janë në lojë: “Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk duhet të frikësohen nga të mëdhatë.”
Ajo përsëriti: “Groenlanda nuk është në shitje.”
Alarm në NATO dhe BE
Liderë të shumtë evropianë kanë shprehur shqetësim për situatën. Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius tha se çdo përpjekje e SHBA-së për të marrë kontrollin e Groenlandës do të ishte “situatë e paprecedentë në historinë e NATO-s dhe të çdo aleance mbrojtëse”.
Ndërkohë, Danimarka ka njoftuar se do të shtojë praninë e saj ushtarake në Groenlandë dhe do të zhvillojë konsultime të ngushta me aleatët për mbrojtjen e rajonit arktik.
Ministri danez i mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se NATO duhet të ketë “vëmendje më të madhe” ndaj zhvillimeve në veri.
Shqetësime për të ardhmen e Grenlandës
Ndërsa qeveria zyrtare ka marrë një qëndrim të prerë kundër çdo lloj marrjeje kontrolli nga SHBA, brenda vendit ka edhe zëra ndryshe.
Lideri i opozitës në Nuuk, Pele Broberg, deklaroi se marrëveshja me SHBA-në mund të ishte një opsion, duke e quajtur “mënyrën e lehtë” për të shmangur përshkallëzimin.
Megjithatë, qeveria grenlandeze tha se nuk do të pranojë “në asnjë rrethanë” një marrje kontrolli nga SHBA dhe se mbrojtja e ishullit duhet të garantohet brenda kornizës së NATO-s.
Ajo po ashtu deklaroi se Grenlanda “do të mbetet përgjithmonë” pjesë e aleancës perëndimore.
Grenlanda gëzon vetëqeverisje që prej vitit 1979 dhe kishte nisur të shihte drejt rrugës së pavarësisë, por kriza aktuale ka rindezur debatin mbi të ardhmen e saj dhe rolin e Danimarkës në këtë proces.