
Gjiganti amerikan i lodrave Mattel ka prezantuar kukullën e parë Barbie autike, duke zgjeruar linjën e saj kryesore në kuadër të asaj që kompania e përshkruan si një angazhim më të gjerë për diversitet dhe përfshirje.
Kukulla është zhvilluar gjatë më shumë se 18 muajve në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin autik dhe përfaqëson shtesën më të re në linjën “Barbie Fashionistas”. Kjo linjë përfshin tashmë kukulla që pasqyrojnë persona me diabet të tipit 1, sindromën Down dhe verbëri, me synimin që më shumë fëmijë “ta shohin veten te Barbie”.
Sipas Mattel, dizajni i kukullës reflekton disa karakteristika të spektrit autik. Sytë e saj janë të orientuar lehtësisht anash, duke pasqyruar faktin se disa persona autikë shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me sy.
Ajo ka bërryla dhe kyçe të përkulshme për të mundësuar lëvizje fizike përsëritëse, si “stimming” apo rrahja e duarve. Kukulla shoqërohet gjithashtu me aksesorë si një “fidget spinner”, kufje që reduktojnë zhurmën dhe një tablet me aplikacione komunikimi të bazuara në simbole. Veshja e saj përfshin një fustan të gjerë, i menduar për të reflektuar preferencat e veshjeve të ndjeshme ndaj shqisave.
“Ky është një hap tjetër drejt bërjes së markës Barbie një pasqyrim më gjithëpërfshirës të fëmijëve që luajnë me të,” deklaroi kompania.
Barbie u prezantua për herë të parë në vitin 1959 dhe deri në vitin 2019 linja nuk përfshinte kukulla që përfaqësonin aftësi të kufizuara. Pas kritikave të vazhdueshme se modelet tradicionale – bionde, me sy blu dhe bel të hollë – nuk pasqyronin realitetin e grave dhe vajzave, Mattel ka zgjeruar ndjeshëm gamën e saj në vitet e fundit.
Sot, linja përfshin një larmi tonesh lëkure, teksturash flokësh, tipe trupash dhe karakteristikash, përfshirë kukulla që janë të verbra, përdorin karrige me rrota, kanë aparate dëgjimi, gjymtyrë protezë dhe vitiligo, si dhe kukulla Ken me këmbë protezë ose në karrige me rrota, shkruan Rt.
Mattel ka prezantuar gjithashtu një Barbie me hixhab, si homazh për Ibtihaj Muhammad, atletja e parë amerikane që konkurroi në Lojërat Olimpike duke mbajtur mbulesë koke.
Përpjekje të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga prodhues të tjerë lodrash. Në vitin 2016, Lego lançoi një minifigurë të një të riu në karrige me rrota, si pjesë e fushatës së saj “Toys Like Me”, e fokusuar në përfaqësimin dhe përfshirjen.