Vendosni fjalën kyçe....

Njësia elitare e ushtrisë gjermane nën hetim për ngacmim seksual, drogë e përshëndetje naziste


Forcat e armatosura gjermane janë përfshirë nga një skandal i lidhur me ngacmimet seksuale, ekstremizmin dhe përdorimin e drogës në një regjiment elitë, gjë që kërcënon të dëmtojë përpjekjet për forcimin e ushtrisë dhe nxitjen e rekrutimit.

Prokurorët publikë po shqyrtojnë më shumë se një duzinë akuzash kundër ushtarëve të Regjimentit të 26-të të Parashutistëve, një divizion ajror i ushtrisë me bazë në qytetin Zweibrücken, në shtetin jugperëndimor të Rheinland-Pfalz.

Hetimet kanë hulumtuar pretendimet për ushtarë të kësaj njësie elitë që mbanin uniforma të stilit nazist dhe përdornin drogë. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, është shprehur i “tmerruar” nga zbulimet, duke thënë se ato “bien në kundërshtim të plotë me vlerat themelore të Bundeswehr-it”, forcave të armatosura gjermane.

Por, këto ngjarje kanë hedhur hije mbi nismën e këtij muaji të një skeme të re që synon tërheqjen e 18-vjeçarëve për të kryer një formë të re të shërbimit ushtarak vullnetar, ndërsa Gjermania përpiqet të forcojë forcat e saj të armatosura mes frikës nga agresioni rus.

Skandali ka ngritur pyetje mbi kulturën në ushtri në një kohë kur ajo kërkon një rol më të madh brenda vendit dhe ndërkombëtarisht, me kancelarin Friedrich Merz që ka premtuar ta bëjë Bundeswehr-in ushtrinë konvencionale më të fortë në Evropë.

Agnieszka Brugger, anëtare e parlamentit nga të Gjelbrit, e cila bën pjesë në komisionin e mbrojtjes të Bundestagut, paralajmëroi se akuzat nuk njollosin vetëm një njësi, por “shërbimin e rëndësishëm të kryer nga aq shumë ushtarë”. Ajo shtoi: “Kjo paraqet një problem gjigant në një moment serioz, kur Bundeswehr-i dhe politikanët tanë duhet të rekrutojnë njerëzit më të aftë për shërbim ushtarak.”

Regjimenti i 26-të i Parashutistëve është një nga njësitë më elitare të Gjermanisë. I përbërë nga rreth 1,700 ushtarë, ai është angazhuar në misione jashtë vendit dhe evakuime në zona lufte si Afganistani, Mali dhe Sudani.

Akuzat u bënë publike fillimisht në tetor, kur një gazetë lokale mori një informacion anonim se disa ushtarë po hulumtoheshin për përshëndetje hitleriane, fotografim të kolegëve burra dhe gra në dushe, si dhe për përdorim droge e veshje të uniformave naziste. Ushtria konfirmoi më pas se kishte nisur fshehurazi hetimet që në qershor, pas ankesave nga parashutistet femra, të cilat përbëjnë rreth 5 për qind të regjimentit.

U bë e ditur gjithashtu se komandanti i njësisë, Koloneli Oliver Henkel, ishte larguar nga posti i tij. Në fjalimin e tij të largimit, Henkel mohoi që ndryshimi i detyrës të kishte lidhje me akuzat, duke thënë: “Kam ndërgjegjen e pastër dhe jam i bindur se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë në fund.”

Që atëherë, akuzat janë shtuar. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung publikoi javën e kaluar një ekspoze rrëqethëse, duke cituar burime të brendshme të ushtrisë, sipas të cilëve në Zweibrücken ekzistonte një “klikë e ekstremit të djathtë dhe haptazi antisemite” që përdorte fyerje si “derr hebre”. Gratë ishin subjekt i shakave pornografike dhe kërcënimeve për përdhunim, si dhe përballeshin me kolegë meshkuj që ekspozonin organet gjenitale.

Gjenerali me tre yje Harald Gante i tha gazetës se kishte mbetur “praktikisht pa fjalë” kur mori vesh se çfarë po ndodhte në Zweibrücken.

“Për vetë ngjarjet, por edhe për mënyrën se si u trajtuan ato.” Sjellja e mirë dhe mishërimi i vlerave demokratike, shtoi Gante, ishte ajo që e dallonte Bundeswehr-in “nga ushtarët rusë”, një paralajmërim që erdhi pak ditë para se Merz të premtonte se trupat gjermane do luanin një rol në sigurimin e çdo armëpushimi të ardhshëm në Ukrainë.

Të enjten, revista Der Spiegel raportoi akuza të tjera, përfshirë pretendimet se një komandant kompanie u kishte drejtuar një pistoletë të mbushur në fytyrë dy ushtarëve. Një ushtar tjetër pati nevojë për operacion pasi mori “goditje të përsëritura në zonën gjenitale dhe në kokë” nga instruktorët e tij.

Ndërsa shkalla e akuzave është bërë e qartë, Pistorius është kritikuar për faktin se priti deri në dhjetor për të folur publikisht. Në total, Bundeswehr ka hetuar 55 të dyshuar. Tre ushtarë janë shkarkuar tashmë dhe 19 të tjerë përballen me procedura shkarkimi. Gjashtëmbëdhjetë raste u janë referuar prokurorëve për hetim penal, shkruan Financial Times.

Ky episod nuk është skandali i parë i këtij lloji. Në vitin 2020, ministria shpërndau një njësi të tërë të forcave speciale për shkak të “udhëheqjes toksike” dhe “tendencave ekstremiste”.

Megjithatë, deputeti Thomas Röëekamp theksoi se këto raste nuk janë përfaqësuese të 180,000 ushtarëve të Gjermanisë. Një studim i vitit të kaluar zbuloi se vetëm 0.4 për qind e ushtarëve shfaqnin qëndrime ekstremiste, një shifër më e ulët se ajo prej 5 për qind që vlerësohet për popullsinë e përgjithshme.