
Pamje rrëqethëse që vijnë nga Irani tregojnë dhjetëra qese me trupa të pajetë, ndërsa bilanci i viktimave nga shtypja e dhunshme e protestave ka arritur në të paktën 538 të vrarë. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut HRANA, mes viktimave janë 490 protestues dhe 48 pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa mbi 10,600 persona janë arrestuar deri më tani.
Skena tmerri në institutet mjeko-ligjore
Pavarësisht bllokimit të plotë të internetit për të tretën ditë radhazi, video të rënda të publikuara nga BBC Persian dhe Iran International tregojnë realitetin e përgjakshëm pranë institutit mjeko-ligjor Kahrizak në Teheran. Trupat po transportohen me kamionë, ndërsa familjarët janë detyruar të kërkojnë mes grumbujve të kufomave për të identifikuar të afërmit e tyre.
Në videot e qarkulluara, shihen rreshta të gjatë me qese trupash në oborret e instituteve, ndërsa në një prej ekraneve të identifikimit shfaqej numri “250”, gjë që sugjeron se vetëm në atë pikë mund të ndodhen qindra viktima.

Sipas The Ëall Street Journal, presidenti Donald Trump pritet të mblidhet këtë të martë me zyrtarë të lartë të administratës për të diskutuar opsionet e përgjigjes ndaj regjimit iranian. Masat që po shqyrtohen përfshijnë:
Operacione klandestine kibernetike kundër objektivave ushtarake dhe civile.
Sanksione shtesë ekonomike.
Goditje të mundshme ushtarake.
Një tjetër mundësi që po diskutohet është dërgimi i satelitëve Starlink në Iran, për t’u dhënë mundësi protestuesve të anashkalojnë bllokimin e internetit nga qeveria.
Reagimet ndërkombëtare: Izraeli në gatshmëri
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se bota po ndjek me admirim “guximin e jashtëzakonshëm” të qytetarëve iranianë. Ai shprehu shpresën për një Iran të lirë nga “zgjedha e tiranisë”, duke premtuar rikthimin e partneritetit mes dy popujve.
Ndërkohë, Ushtria Izraelite (IDF), nën drejtimin e Shefit të Shtabit, Eyal Zamir, ka rritur gatishmërinë operacionale. Megjithëse i konsideron protestat si çështje të brendshme të Iranit, IDF theksoi se është e përgatitur të përgjigjet me forcë për të mbrojtur qytetarët e Izraelit nëse situata përshkallëzohet në rajon, shkruan Ynet.