Vendosni fjalën kyçe....

Emiratet e Bashkuara Arabe ndërpresin financimin për studentët në universitetet britanike nga frika e radikalizimit



Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë ndërprerë financimin shtetëror për qytetarët e tyre që studiojnë në universitetet e Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të shqetësimeve se studentët mund të radikalizohen gjatë studimeve. Lajmi u raportua fillimisht nga Financial Times dhe The Times, ndërsa u konfirmua edhe nga The Jerusalem Post.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit të Lartë të EBA-së, e cila publikon listën e universiteteve të pranueshme për bursa shtetërore, për vitin akademik 2026 nuk figuron asnjë universitet britanik. Ndërkohë, afro 40 shtete të tjera, përfshirë Izraelin, Francën dhe Shtetet e Bashkuara, vijojnë të jenë të miratuara.

Në vitet e mëparshme, qindra studentë nga Emiratet merrnin viza studimi për universitetet britanike çdo vit. Megjithatë, të dhënat tregojnë se në vitin që përfundoi në shtator 2025, pak më shumë se 200 studentë emiratas u pajisën me viza studimi për në Britani, mbi 50% më pak krahasuar me vitin 2022.

Sipas burimeve të Financial Times, zyrtarët emiratas u kanë bërë të ditur autoriteteve britanike se nuk dëshirojnë që studentët e tyre të “radikalizohen në kampuse universitare”. Ndërsa The Times raporton se kufizimi i financimit lidhet kryesisht me shqetësimet për ndikimin e Vëllazërisë Myslimane, organizatë që Mbretëria e Bashkuar nuk e ka shpallur të ndaluar, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga EBA dhe aleatë të tjerë.

Vendimi ka ngjallur reagime të forta, pasi konsiderohet i pazakontë që një vend mysliman të shprehë frikë nga radikalizimi islamist i studentëve të tij në një vend perëndimor. Eksperti emiratas i çështjeve strategjike, Amjad Taha, deklaroi se EBA nuk do t’i dërgojë studentët e saj “të bien pre e ideologjive xhihadiste të maskuara si aktivizëm universitar”, duke akuzuar disa kampuse britanike dhe irlandeze se janë shndërruar në hapësira të ndikimit ekstremist.

Ai përmendi disa universitete në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ku, sipas tij, veprojnë rrjete të lidhura me Vëllazërinë Myslimane, duke i cilësuar ato si qendra rekrutimi dhe radikalizimi.

Autoritetet emirate theksojnë se ky vendim nuk përbën ndalim total për studimet në Mbretërinë e Bashkuar. Studentët që zgjedhin të vetëfinancohen mund të vazhdojnë studimet, por ata që varen nga bursat shtetërore nuk do të mbështeten më për universitetet britanike.

Vëllazëria Myslimane është e ndaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe që prej vitit 2014, ndërsa vendi ndjek një politikë tolerance zero ndaj ekstremizmit. Në janar 2025, EBA shpalli zyrtarisht tetë organizata me bazë në Mbretërinë e Bashkuar si grupe terroriste, duke i lidhur ato me këtë lëvizje.