Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon Ramën për sulme ndaj drejtësisë: Po mbron interesat e veta dhe të bashkëpunëtorëve



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka sulmuar drejtësinë për të mbrojtur interesat personale dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas Berishës, ndërsa qindra qytetarë nga Gjirokastra në Shkodër po përballen me pasojat e përmbytjeve, kryeministri nuk ka folur për situatën e tyre, pasi, sipas tij, Rama dhe ministrat e qeverisë janë përgjegjës për keqmenaxhimin dhe vjedhjen e fondeve të destinuara për infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet.

Në reagimin e tij, Berisha shprehet se Rama është “peng i Lubisë”, duke iu referuar zëvendëskryeministres Belinda Balluku, dhe se përmes shumicës parlamentare ka bllokuar drejtësinë dhe arrestimin e saj.

Kreu i PD-së thekson se sulmet e Ramës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve tregojnë frikën e tij nga drejtësia dhe sipas tij përbëjnë një thirrje për qytetarët që të kërkojnë largimin e kryeministrit nga pushteti sa më shpejt të jetë e mundur.

Reagimi i plotë i Berishës:

“Ramaduro sot sulmoi drejtësinë dhe mbrojti menderen e tij!

Të dashur miq, në monologun e tij të neveritshëm, Ramaduro sot nuk foli për hallin e dhjetëra mijëra qytetarëve që nga Gjirokastra në Shkodër kanë banesat të përmbytura. Me këtë, ai mirë bëri, sepse përveç motit, shkak tjetër madhor i gjendjes së tyre të vështirë është vetë ai dhe ministrat e tij që, të pangopur, kanë vjedhur fondet e investimeve në infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet.

Por Ramaduro foli për menderen e tij.

Ai, si peng i Lubisë, pasi ka bllokuar nëpërmjet 83 mandateve të tij të krimit heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, përsëri sulmoi sot drejtësinë e tij, e cila sipas tij ‘nuk është as e paanshme dhe as cilësore’.

Me këto akuza, Ramaduro dëshmon se ai nuk pranon dhe nuk do të pranojë vendimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, meqë sipas tij ata nuk janë të paanshëm dhe janë injorantë, jo cilësorë!

Me këtë qëndrim, Rama sërish pranon fajësinë e tij dhe ky qëndrim është një apel për çdo shqiptar të ngrihet për largimin e tij nga pushteti, një ditë e më parë!”