
Prefekti i Lezhës, Taulant Malshi, ka deklaruar se situata e përmbytjeve në qytet po menaxhohet dhe se ka shenja përmirësimi, pas reduktimit të shkarkimeve nga hidrocentralet.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, Malshi tha se niveli i lumit Mat ka rënë me rreth një metër, çka sipas tij krijon premisa për përmirësim të situatës në zonat e prekura. Ai theksoi se problematika e përmbytjeve është e mbartur prej vitesh dhe lidhet ngushtë me zhvillimin e pakontrolluar urban.
Sipas prefektit, përmbytjet janë ndikuar nga mbingarkesa e kanaleve kulluese, vështirësitë në funksionimin e hidrovoreve dhe ndërtimet pa kriter të kryera ndër vite. Ai theksoi se kjo “katrahurë urbane”, siç e cilësoi, ka vijuar për rreth 30 vjet dhe e bën më të vështirë përballimin e flukseve të mëdha të ujit.
Malshi bëri me dije se po punohet në terren për largimin të inerteve dhe për parandalimin e rreziqeve, ndërsa një situatë problematike është evidentuar edhe në Kurbin, ku një dëmtim i argjinaturës rrezikon funksionimin e Hidrovorit të Kurbinit. Sipas tij, ndërhyrjet kanë vijuar deri në orët e vona dhe do të vazhdojnë për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm.
Prefekti i Lezhës nënvizoi gjithashtu nevojën për hartimin e një strategjie afatgjatë, të ndërtuar mbi mendimet e specialistëve të fushës, për të përballuar në mënyrë më efektive situata të tilla në të ardhmen. Ai shtoi se në menaxhimin e emergjencës ka pasur edhe mbështetjen e Forcave të Armatosura.