Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori i BE-së Gonzato rikonfirmon mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese dhe sundimin e ligjit në Shqipëri



Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dhe kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, zhvilluan sot një takim në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, ku u diskutua mbi forcimin e sundimit të ligjit dhe rolin e institucionit në procesin e integrimit evropian.

Gjatë takimit, ambasadori Gonzato rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar rolin kyç të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve shqiptarë.

Ai vuri në dukje se Gjykata Kushtetuese ka arritur një nivel të qëndrueshmërisë dhe funksionimi institucional, ndërsa dy vendet e lira në përbërjen e saj pritet të plotësohen shumë shpejt. Sipas Gonzatos, pavarësisht këtyre vakancave, Gjykata ka ruajtur cilësinë, transparencën dhe pavarësinë si institucioni më i lartë i drejtësisë në vend.

Ambasadori i BE-së konfirmoi gjithashtu se Gjykata Kushtetuese do të përfshihet si përfituese në projektet e ardhshme të Bashkimit Evropian, me synim mbështetjen e mëtejshme të përpjekjeve për harmonizimin e praktikës gjyqësore shqiptare me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, bashkëpunimi me të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar është thelbësor për përparimin e procesit të integrimit evropian, ndërsa Gjykata Kushtetuese mbetet një partner qendror në këtë rrugëtim.

Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të BE-së për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.