
Kryeministri Edi Rama përmblodhi bilancin e dëmeve dhe humbjeve nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut në ditët e fundit.
Ai tha se ndryshimi i kushteve atmosferike bashkëshoqëruar nga veprimtaria e njeriut, kanë rënduar pasojat. Sipas Ramës, në rang vendi janë evidentuar 1 587 banesa me prani uji, janë evakuuar 339 persona nga 51 familje dhe rreth 13 211 hektarë tokë bujqësore janë prekur nga përmbytjet. Janë raportuar gjithashtu dëme në disa qendra shëndetësore dhe arsimore. Në Durrës u regjistruan 41 mm reshje, ndërsa një punonjës 54-vjeçar i bashkisë u gjet i mbytur.
Në të gjithë vendin janë ulur sasitë e reshjeve të matura deri së fundmi, përjashtuar Durrësin ku janë regjistrua 41 mm shi, një punonjës i bashkisë së Durrësit, 54 vjeç, është gjetur i mbytur pasi është raportuar i vdekur një ditë më parë. Deri tani janë në rang vendi, numëruar 1587 banesa me praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje, po ashtu prania e ujit është konstatuar në 13211 hektarë tokë bujqësore ku një pjesë janë përmbytur, sikundër edhe disa qendra shëndetësore apo arsimore. Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, deri në 300 mm, ose thënë ndryshe, më shumë sesa sasia mesatare e reshjeve që bie gjatë gjithë muajit. Reshjet 30-ditore mesatare të janarit kanë rënë në një periudhë 4-ditore, një fenomen që po bëhet i papritur në të gjithë botën. Në disa zona të Ultësirës Perëndimore, sasia e reshjeve në këto 5 ditë ka qenë 25% ose sa çereku i sasisë vjetore në mesatare. Si pasojë e një rritjeje të tillë ujore, në kanalet e larta, kolektorët kryesorë kullues, përrenj malorë dhe lumenjtë Drin, Bunë, Mat, Drojë, Ishëm, Shkumbin, Erzem, Osum, Seman dhe Vjosë, ka ardhur pasoja e përmbytjeve pavarësisht infrastruktruës së ripërtërirë si rezultat i investimeve të vazhdueshme në dekadën e fundit.