Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet/ Banorët e Durrësit përplasen me policinë para bashkisë, mijëra hektarë tokë nën ujë në mbarë vendin (Foto/Video)


Dhjetëra qytetarë të Durrësit kanë protestuar para bashkisë duke kërkuar llogari për përmbytjet e rënda që kanë goditur qytetin bregdetar dhe zonat përreth.

Me thirrjet “poshtë qeveria”, “poshtë kryeministri” ata provuan të hyjnë brenda bashkisë por nuk u lejuan nga policia. Banorët bëjnë përgjegjës qeverinë dhe bashkinë për përmbytjet. Ata kanë akuzuar kryeministrin Rama, zv.kryeministren Balluku e kryebashkiaken Sako duke kërkuar llogari prej tyre.

“50 milionë euro të vjedhura nga Belinda Balluku dhe 100 milionë nga Ervis Beberi do të ishin mjaftuar për të zgjidhur të gjitha kanalizimet e Durrësit. Nuk është faj moti, nuk është faj shiu, na ka mbytur qeveria!” – tha një prej protestuesve.

Ndërsa një tjetër tha: “Emirjana Sako po na vjedh. Ky vend i bekuar drejtohet nga njerëz të korruptuar. Turp për ata që nuk veprojnë dhe lënë qytetin nën ujë! Do t’i ndëshkojë Zoti për këtë!”

Banorët e përmbytur kërkojnë shpalljen e gjendje së jashtëzakonshme, dëmshpërblim të plotë për dëmet dhe hetim për shpërdorimin e fondeve publike.

Një 54-vjeçar ka humbur jetën ditën e sotme duke u bërë viktima e parë nga përmbytjet në vend.

Durrësi, Lezha, Shkodra, Fushë Kruja, Fieri, Lushnja, Gjirokastra etj janë goditur rëndë nga përmbytjet. Mijëra hektarë tokë janë nën ujë, mijëra biznese janë dëmtuar ndërsa dëmet materiale janë ende të pallogaritshme.

Qytetarët kanë deklaruar se nuk u ka ardhur ndihmë nga qeveria a pushteti vendor ndërkohë që kryeministri Rama e ministrat kanë hedhur statuse me foto në Facebook duke thënë se janë në terren në shërbim të qytetarëve.

Në Fier është çarë argjinatura e kanalit të Martinës në Ferras duke bërë që banorët të evakuohen për të mos rrezikuar.

Në Vlorë, dalja e Vjosës nga shtrati ka përmbytur autostradën Vlorë – Levan duke bërë që të devijohet korsia. Rreth 500 metra të autostradës janë të bllokuara nga uji dhe kalimi bëhet me shumë vështirësi.

Në Durrës u shënua viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar, Astrit Hysenaj, ka humbur jetën pasi e ka marrë rrjedha e kanalit në zonën e ish-repartit ushtarak. Trupi i pajetë u gjet nga polumbarët e Reneas.

Lumi Erzen ka dalë nga fshati duke përmbytur dhjetëra hektarë toke dhe duke rrethuar banesat në Katund të Ri. Në këtë zonë, si edhe në Sukth ka nisur evakuuimi i banorëve.  Deri më tani, perllogariten mbi 1 mijë banesa të përmbytura në Durrës, rreth 335 biznese janë dëmtuar dhe mbi 300 banorë janë evakuuar në Konvalishencë.

Reshjet e dendura kanë shkaktuar situatë problematike edhe në qarkun e Beratit. Rritja e nivelit të ujit në Lumin Osum ka bërë që 95 hektarë tokë bujqësore të jenë plotësisht nën ujë.

Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë në Berat po punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.

Në zonën e Velabishtit ku është dëmtuar një pjesë e argjinaturës, 4 banesa janë nën ujë, e po ashtu edhe një kopsht fëmijësh, 1 qendër shëndetësore, stalla e sera. Banorët ankohen për mungesë vëmendjeje nga bashkia.

Në Lezhë, rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë në Lezhë; është bërë evakuimi i dy familjeve; rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji. Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, fshati Dukagjin.

Në Shkodër ka pasur rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë. 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës; në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rugë të bllokuara dhe prezencë uji; në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët autorurale, që kanë shkaktuar dëmtime.

Në zonat veriore e jugore në lartësi kanë nisur reshjet e borës. Drejtuesve të mjeteve u është bërë thirrje që të kenë kujdes e të përdorin gomat e borës ose zinxhirët.