Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet pa shenja jete një person në Durrës, dyshohet të jetë mbytur


Një ngjarje e rëndë është shënuar në Durrës, ku një person është gjetur pa shenja jete në zonën e Plepave. Viktima është identifikuar si A. H., 54 vjeç, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh.

Sipas të dhënave paraprake, 54-vjeçari kishte shkuar në zonë në kuadër të detyrës, për të verifikuar problematikat e krijuara nga reshjet intensive të shiut dhe vërshimet e ujit. Dyshohet se gjatë kryerjes së këtyre verifikimeve ai është marrë nga rrjedha e fortë e ujit, duke humbur jetën.

Trupi i pajetë i viktimës u gjet në një kanal kullues, në afërsi të ish-repartit ushtarak, pas kërkimeve të zhvilluara nga shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s. Menjëherë pas gjetjes, trupi u transportua drejt morgut të Durrësit për ekspertizë mjeko-ligjore, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, ndërsa autoritetet pritet të japin informacione të tjera zyrtare në vijim.