Vendosni fjalën kyçe....

Trump njofton se Venezuela do t’i dorëzojë SHBA-së deri në 50 milionë fuçi naftë, pas kapjes së Maduros



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se autoritetet e përkohshme të Venezuelës do të transferojnë në SHBA midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të “cilësi të lartë” dhe nën sanksione, disa ditë pasi forcat amerikane kapën ish-presidentin venezuelian Nicolás Maduro, përcjell Reuters.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump tha se kjo naftë do të shitet me çmim tregu dhe të ardhurat e fituara nga shitja do të menaxhohen nga ai si president i SHBA-s, me qëllim që të përdoren “për të mirën e popullit të Venezuelës dhe të Shteteve të Bashkuara”, përcjell The Economic Times.

Sipas tij, transferimi do të fillojë “menjëherë” dhe nafta do të dërgohet direkt në portet amerikane përmes anijeve të magazinimit. Ai gjithashtu ka kërkuar nga Sekretari i Energjisë, Chris Wright, të ekzekutojë planin.

Ky njoftim vjen në një moment kur administrata amerikane po përpiqet të riformësojë industrinë e naftës venezueliane, pas viteve të rënies së prodhimit, dhe të përdorë burimet energjetike të vendit si mjet për stabilizimin ekonomik dhe politik. Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës të provuara në botë, me rreth 300 miliardë fuçi, por prodhimi ka rënë ndjeshëm në dekadat e fundit.

Veprimi ka shkaktuar debate ndërkombëtare dhe shqetësime për pasojat ligjore e gjeopolitike, përfshirë ndikimin në tregjet globale të energjisë dhe sovranitetin e Venezuelës, ndërsa disa ekspertë dhe vende janë shprehur skeptikë ndaj legjitimitetit të këtij transferimi.

Në zhvillimet e fundit, Maduro dhe bashkëshortja e tij janë paraqitur në një gjykatë federale në Nju Jork, ku janë përballur me akuza kriminale, ndërsa shumë vende dhe organizata ndërkombëtare kanë reaguar ndaj operacionit të SHBA-së.