
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar në Facebook fotografi nga pranimi i sistemeve raketore anti-tank OMTAS, duke shkruar vetëm “Faleminderit, Turqi”.
Sistemet raketore OMTAS janë pjesë e armatimit modern të kontraktuar nga Kosova në dhjetor të vitit 2023 me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Roketsan.
Pranimi i këtij armatimi ishte bërë i ditur më herët nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me këtë zhvillim, shkruan RTK.
“Më të fortë, më të sigurtë: sistemi antitank turk OMTAS, pjesë e arsenalit të ushtrisë sonë|, ka shkruar Albin Kurti.
Ndërsa ministri Maqedonci ka thënë se kjo dërgesë ka qenë e kontraktuar me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.
“OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor anti-tank me rreze të mesme veprimi, i zhvilluar për të neutralizuar mjete të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake”, ka shkruar ai në facebook.