Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Gonxhja zotohet të mbrojë pasuritë kulturore pavarësisht përmbytjeve



Në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse për trashëgiminë kulturore po vijojnë monitorimin e pandërprerë në të gjithë territorin.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se në qarkun Shkodër dhe zonat përreth reshjet kanë vazhduar, ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës. Sipas tij, situata paraqitet më problematike në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit.

Përmbytjet kanë ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin, si pasojë e nivelit të lartë të lumit.

Nga monitorimi i deritanishëm në pasuritë e tjera kulturore në territor, autoritetet bëjnë me dije se, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, nuk janë konstatuar përkeqësime. Në urat nën juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë nuk janë evidentuar problematika, ndërsa vëzhgimi po vijon edhe në sektorin Sarandë, ku deri më tani nuk raportohen situata shqetësuese.

Autoritetet theksojnë se monitorimi në terren do të vijojë, me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo rreziku të mundshëm. Informacione më të detajuara pritet të bëhen publike në vijim.