Vendosni fjalën kyçe....

Kosova pajiset me sisteme raketore kundërtanke OMTAS nga Turqia


Kosova ka pranuar një dërgesë me sisteme raketore kundërtanke OMTAS nga Turqia, në kuadër të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmin e bëri të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili sqaroi se kjo dërgesë ishte kontraktuar në dhjetor të vitit 2023 me kompaninë shtetërore turke të industrisë së mbrojtjes, Roketsan.

Sipas Maqedoncit, OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor antitank me rreze të mesme veprimi, i projektuar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanket me mbrojtje reaktive, si dhe objektiva të fortifikuara ushtarake.

Ai theksoi se shtimi i llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve kundërtanke synon të rrisë fleksibilitetin operacional të FSK-së, duke mundësuar mbulim të distancave të ndryshme veprimi, terreneve dhe skenarëve të ndryshëm të kërcënimit.

Ministri nuk dha detaje mbi numrin e sistemeve të pranuara apo koston e tyre. Sipas të dhënave të publikuara nga Roketsan, sistemi OMTAS është efektiv si gjatë ditës ashtu edhe natës, në kushte të ndryshme atmosferike, dhe mund të lëshohet nga automjete ushtarake ose nga platforma trekëmbëshe. Ai ka rreze veprimi nga 200 metra deri në 4 kilometra dhe peshon rreth 35 kilogramë, përfshirë raketën dhe tubin lëshues.