Vendosni fjalën kyçe....

Durrësi pas reshjeve/ Banorët të pashpresë, shtëpitë e mbuluara nga uji me baltë


Banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës janë ndër më të prekurit nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive të shiut të ditës së djeshme. Ata shprehen se kjo është hera e katërt që përmbyten brenda gjashtë muajve, ndërsa dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.

Reshjet kanë sjellë përmbytje edhe në disa segmente rrugore të qytetit, përfshirë zonën pranë stadiumit, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Një nga banorët deklaron se niveli i ujit ka arritur deri në 2 metra, ndërsa banesa e tij është përmbytur për herë të tretë pa marrë asnjë dëmshpërblim.

Sipas autoriteteve, në Durrës rreth 100 banesa kanë ujë në oborre dhe në brendësi, ndërsa 18 familje me rreth 60 persona janë evakuuar dhe sistemuar në struktura pushimi të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Probleme janë raportuar edhe në zonën e Shkozetit, në Lagjen 14, veçanërisht në zonën e njohur si NISH Tulla.

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha