Vendosni fjalën kyçe....

Aksident me vdekje në Lushnjë, dyshohet arrest kardiak gjatë drejtimit të motoçikletës



Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e sotme në fshatin Kurtinë, njësia administrative Hysgjokaj, ku një 70-vjeçar ka humbur jetën gjatë lëvizjes me motoçikletë.

Sipas informacioneve paraprake nga Policia e Qarkullimit Rrugor, shtetasi Barjam Dingozi dyshohet se ka pësuar infarkt (arrest kardiak) gjatë drejtimit të motomjetit, çka ka bërë që të humbasë kontrollin dhe të rrëzohet në rrugë. Si pasojë, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, në aksin rrugor “Kurtinë–Hysgjokaj”. Trupi i pajetë është transportuar me ambulancë drejt morgut të Spitalit të Lushnjës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Policia po vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.