
Përdorimi i inteligjencës artificiale (AI) po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në botën e biznesit dhe të tregtisë, duke ndryshuar mënyrën se si konsumatorët informohen dhe kryejnë blerje. Sipas një raporti të ri të kompanisë teknologjike Capgemini, rreth 25% e konsumatorëve në vitin 2025 kanë përdorur mjete blerjeje të bazuara në inteligjencë artificiale, ndërsa 31% të tjerë planifikojnë t’i përdorin në të ardhmen, përcjell Euronews.
Raporti, i bazuar në anketa globale dhe intervista me drejtues të sektorit të shitjes me pakicë, thekson se bizneset duhet të përshtaten me realitetin e ri, ku produktet nuk mjafton vetëm të gjenden nga konsumatorët, por duhet të “zgjidhen” nga algoritmet. Sipas Capgemini, suksesi i markave do të varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për t’u rekomanduar nga sistemet e AI-së.
Konsumatorët po e përdorin inteligjencën artificiale në forma të ndryshme: nga këshillimi për produkte, te blerjet direkte përmes chatbot-ëve apo edhe delegimi i blerjeve tek asistentë virtualë. Vitin e kaluar, OpenAI njoftoi se përdoruesit në SHBA mund të blinin produkte nga platforma si Etsy, Shopify dhe Walmart përmes ChatGPT.
Megjithatë, jo të gjitha kompanitë po ndjekin të njëjtën qasje. Amazon, për shembull, ka kufizuar aksesin e OpenAI në të dhënat e saj, duke synuar të ruajë kontrollin mbi tregun e reklamave në tregtinë elektronike dhe zhvillimin e AI-së së vet.
Raporti tregon se 63% e konsumatorëve dëshirojnë përmbajtje blerjeje të personalizuar nga AI, por shqetësimet mbeten të larta. Rreth 71% e të anketuarve shprehen të shqetësuar për mënyrën se si teknologjia përdor të dhënat e tyre personale. Po ashtu, 66% e konsumatorëve vlerësojnë ende praninë e ndihmës njerëzore në momentin e blerjes, duke treguar se teknologjia nuk po e zëvendëson plotësisht ndërveprimin njerëzor.
Sipas Capgemini, bizneset duhet të ofrojnë një ekuilibër mes komoditetit digjital dhe mbështetjes njerëzore. Chatbot-ët e shërbimit ndaj klientit, ndonëse ofrojnë asistencë 24/7, rezultuan më pak të pëlqyer, duke kënaqur vetëm 57% të përdoruesve.
Raporti sugjeron se për t’u përshtatur me këtë tranzicion, kompanitë duhet të ofrojnë të dhëna të detajuara, të përditësuara dhe të lexueshme për makinat, në mënyrë që algoritmet të kuptojnë dhe rekomandojnë më lehtë produktet. Vlerësimet dhe komentet nga palë të treta janë gjithashtu të rëndësishme për mënyrën se si AI përshkruan markat dhe produktet.
Në të njëjtën kohë, konsumatorët kërkojnë transparencë dhe kontroll më të madh. Sipas raportit, shumica dëshiron të vendosë kufij shpenzimesh për asistentët digjitalë, të miratojë blerjet e iniciuara nga AI dhe të dallojë qartë përmbajtjen apo reklamat e gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Capgemini thekson se e ardhmja e tregtisë do të varet nga aftësia e bizneseve për të kombinuar teknologjinë me besimin, transparencën dhe rolin aktiv të konsumatorit në çdo hap të procesit të blerjes.