Vendosni fjalën kyçe....

Administrata Trump shënjestron Kubën


Asnjë vend nuk i ndjeu më fort sesa Kuba valët goditëse që arrestimi i Nicolas Maduro-s nga SHBA-të të shtunën në mëngjes dërgoi në gjithë Amerikën Latine dhe botën.

Brenda pak orësh nga operacioni – shumë kohë përpara se qeveria në Havana ta pranonte atë – thirrjet telefonike dhe mesazhet në gjithë ishullin përhapën lajmin se dhjetëra forca elitare të sigurisë kubane ishin vrarë duke mbrojtur Maduron. Por deri në momentin kur më në fund lëshoi një deklaratë vonë të dielën, duke thënë se 32 pjesëtarë të personelit të saj ushtarak dhe të sigurisë kishin vdekur në Karakas, qeveria kubane kishte probleme më të mëdha në dorë.

Si presidenti Donald Trump, ashtu edhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, e bënë të qartë gjatë fundjavës se rënia e qeverisë komuniste të Kubës nuk ishte vetëm një përfitim anësor i mundshëm i rrëzimit të Maduros, por një qëllim.

“Nuk mendoj se kemi nevojë të ndërmarrim ndonjë veprim,” tha Trump ndërsa fluturonte përsëri për në Uashington nga pushimet e tij të zgjatura në Florida. Pa Maduron dhe furnizimet me naftë që ofronte Venezuela, ai tha se “Kuba duket sikur është gati të bjerë.”

Rubio shkoi më tej, duke treguar se Shtetet e Bashkuara mund të jenë të gatshme t’i japin një shtytje. “Nuk do t’ju flas se cilat do jenë hapat tanë të ardhshëm,” i tha ai emisionit “Meet the Press” të NBC të dielën.

Por, shtoi ai, “nëse do jetoja në Havana dhe do isha në qeveri, do isha i shqetësuar.”

Fjalët e tyre bënë jehonë te shumë njerëz në komunitetin e mërguar me qendër në Miami, ku lufta për të çliruar Kubën nga sundimi komunist ka mbizotëruar politikën për dekada.

Të shtunën, emigrantët kubanë të Floridës Jugore – disa me kapele të kuqe të Trump-it dhe flamuj kubanë si pelerina – iu bashkuan qindra njerëzve në festime spontane nga Little Havana deri në Doral, një qytet i mbiquajtur “Doralezuela” për shkak të popullsisë së tij të madhe të venezuelianëve. Udhëheqësit kubano-amerikanë, shumica prej tyre republikanë, lëshuan deklarata ndërsa ngjarjet e Venezuelës mbizotëronin stacionet televizive lokale.

Kuba është “rrënja” e problemeve me Venezuelën, Nikaraguan dhe regjimet e tjera majtiste në rajon, tha Dariel Fernandez, mbledhësi i taksave i zgjedhur i qarkut Miami-Dade.

“Tani ka ardhur koha që regjimi vrasës komunist dhe socialist i Kastros të mbajë përgjegjësi gjithashtu, dhe që populli kuban të jetë më në fund i lirë.”

Megjithatë, në mungesë të një ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë të SHBA-së, ekspertët e Kubës këtu dhe në ishull ishin më pak të sigurt.

“Nëse po pyesni nëse qeveria kubane do bjerë thjesht vetë sepse rënia ekonomike do rritet pa dërgesat e naftës venezueliane, jam shumë mosbesues,” tha Michael J. Bustamante, Profesor i Asociuar i Historisë dhe drejtor i programit të studimeve kubane në Universitetin e Miamit.

Për të mbajtur dritat ndezur dhe makinat në lëvizje, Kuba ka qenë prej kohësh e varur nga furnizimet me naftë të Venezuelës, për të cilat ka shkëmbyer personel sigurie dhe mjekësor në një kontratë mirëkuptimi me aleatët e majtë në Karakas.

“Mund të dalë që e kam gabim, por Kuba ka qenë në këtë pikë edhe më parë dhe ka mbijetuar”, tha Bustamente, duke iu referuar asaj që njihet në Kubë si “periudha speciale” që filloi në vitin 1991 me ndërprerjen e papritur të ndihmës së jashtme pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Juan Gonzalez, i cili shërbeu si drejtor i Hemisferës Perëndimore në stafin e sigurisë kombëtare të administratës Biden, tha se “ndërprerja e dërgesave të naftës do ushtrojë një presion të madh mbi gjendjen humanitare” në Kubë, e cila tashmë po vuan nga ndërprerjet e rregullta të energjisë elektrike dhe mungesat e ushqimit.

“Por nuk mendoj se regjimi do dorëzohet.”

Përveç një rritjeje ekonomike gjatë administratës Obama, kur rifillimi i marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Havanës çoi në rritjen e turizmit dhe hapje të vogla për pronësinë private dhe investimet e huaja, ekonomia kubane nuk u shërua kurrë plotësisht nga rënia sovjetike.

Vendi ka qenë në një rënie të vijueshme drejt kaosit ekonomik prej vitesh, për shkak të sanksioneve të SHBA-së dhe asaj që edhe shumë nga mbështetësit e saj e shohin si keqmenaxhim nga një Parti Komuniste Kubane e ngurtësuar.

Disa zgjodhën të shihnin mundësi në errësirën që pasoi pas rrëzimit të Maduros. Carlos Alzugaray, një diplomat karriere kuban në pension, tha përmes telefonit nga shtëpia e tij në Havana: “Sigurisht që ka një rritje të kërcënimit, një gjë shumë e keqe.”

Por ishte e mundur, tha ai, që aleatët e Kubës në Rusi dhe vende të tjera të ndihmonin, “dhe mbase qeveria do e hapë ekonominë dhe do bëjë atë që ekonomistët u kanë thënë prej kohësh dhe ata kanë kundërshtuar ta bëjnë.”

Mbështetja venezueliane nën paraardhësin e Maduros, Hugo Chávez, në fillim të viteve 2000 ndihmoi Kubën të dilte nga periudha speciale dhe pesha e sanksioneve dekada-gjata të SHBA-së. Që atëherë, Havana ka përballuar vdekjen e udhëheqësit revolucionar Fidel Castro, Covid-in, çmontimin nga Trump gjatë administratës së tij të parë të hapjes së kufizuar të Obamës dhe protestat e furishme në rrugë në vitin 2021.

Por administrata e dytë e fuqizuar e Trump-it paraqet një kërcënim krejtësisht të ri për udhëheqësit e Kubës.

Në pika të ndryshme përgjatë viteve, vetë ekonomistët e qeverisë së Kubës kanë këshilluar rishikimin e ekonomisë dhe janë nxitur ta bëjnë këtë nga aleatët në Kinë, Vietnam dhe Rusi.

Raúl Castro, i cili mori drejtimin nga vëllai i tij i sëmurë, Fidel, në vitin 2006, paralajmëroi për reformat e nevojshme në një fjalim të gjatë të vitit 2010 në parlamentin kuban.

“Ne po luajmë me jetën e revolucionit,” tha ai.

“Ose do korrigjojmë gjendjen, ose do na mbarojë koha duke ecur në buzë të humnerës dhe do mbytemi.”

Por planet e tij për të zgjeruar rolin e sektorit privat dhe për të ulur pronësinë shtetërore u panë si kontradiktore dhe u zbatuan në mënyrë të pamjaftueshme, duke zgjidhur përfundimisht pak nga problemet sistemike të Kubës.

Përpjekje të tjera për ndryshim janë ndeshur me pengesa të ngjashme për shkak të kundërshtimit të partisë në pushtet për të lejuar bizneset private dhe fermat të shesin mallrat e tyre direkt me çmimet e tregut, kundërshtimit të saj për reformat valutore, investimeve të rënda qeveritare në një industri turizmi në dështim dhe fuqisë në rritje të GAESA, konglomerati i kontrolluar nga ushtria që drejton pjesë të mëdha të ekonomisë.

Në kulmin e tyre prej rreth 100,000 fuçi në ditë, dërgesat e naftës venezueliane i mundësuan Kubës të plotësonte nevojat e saj energjetike dhe të shiste produkte të rafinuara të naftës jashtë vendit për para të gatshme dëshpërimisht të nevojshme. Por ndërsa Venezuela u përball me rënie të mprehta të prodhimit, për shkak të sanksioneve të SHBA-së dhe keqmenaxhimit, dërgesat ranë në rreth 30,000 fuçi vitin e kaluar.

Ato shkurtime, së bashku me rafineritë e vjetruara të Kubës, infrastrukturën e dështuar dhe ndonjë uragan të rastësishëm, çuan në të paktën pesë ndërprerje të energjisë në gjithë ishullin vitin e kaluar.

“Ata duhet të kuptojnë se nuk mund të varen më nga ndihma e huaj,” tha Alzugaray.

Rusia dhe Meksika kanë furnizuar pak naftë, megjithëse presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ka të ngjarë të jetë nën presionin në rritje të SHBA-së për të ndërprerë ndihmën për Havanën. Kina, e cila mban borxhin kryesor kuban, ka treguar pak interes për të ndihmuar.

Reformat janë miratuar “në letër,” tha Alzugaray.

“Problemi është se ata nuk i bëjnë ato. Thelbi është hapja ndaj ekonomisë së tregut, lejimi i zgjerimit të sektorit privat dhe eliminimi ose shitja e ndërmarrjeve shtetërore socialiste që nuk prodhojnë. Ata duhet ta bëjnë këtë, dhe duhet ta bëjnë shpejt. Kanë humbur shumë kohë.”

Pak vëzhgues të Kubës kanë shumë besim se reformat do ndodhin, të paktën nën qeverinë e partisë të presidentit Manuel Díaz-Canel dhe strukturën e tanishme të pushtetit.

“Ka reformatorë brenda regjimit,” tha Gonzalez, zyrtari i administratës Biden.

“Ata kanë një vizion, por nuk i kanë mjetet dhe ndikimin për ta bërë atë.”

Edhe po t’i kishin, tha ai, “nuk do mjaftojë” për Rubion, prindërit e të cilit ikën nga ishulli para marrjes së pushtetit nga Fidel Castro në vitin 1959, dhe për ligjvënësit e fuqishëm kubano-amerikanë.

“Ata do të duan ndryshim të madh.”

Opozita në ishull është e shpërndarë dhe pa udhëheqës që nga arrestimet pas protestave të rrugës në 2021.

“Njerëzit që aspirojnë të jenë udhëheqës të opozitës janë ose në Miami, ose në Madrid, ose në burg,” tha William LeoGrande, specialist i çështjeve të Amerikës Latine në Universitetin Amerikan. Një largim i ngjashëm me atë të Venezuelës i qoftë edhe një numri të vogël individësh nuk ka gjasë të tronditë qendrat e pushtetit ushtarak dhe partiak të rrënjosura deri në pikën e kolapsit, tha ai.

Sa u përket vetë kubanëve, Alzugaray tha: “Nuk do mendoja se njerëzit janë aq të dëshpëruar sa të mirëpresin një ndërhyrje amerikane apo një grup kubanësh të Miamit që të marrin pushtetin. Ajo që njerëzit duan është që qeveria kubane të ndryshojë,” tha ai, “por në kushte kubane, jo të detyruara nga jashtë.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani