
Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën, duke rritur më tej debatet për qëndrimin e SHBA-së ndaj këtij territori autonom nën sovranitetin e Danimarkës, përcjell NY Post.
Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë për politikat, Stephen Miller, deklaroi të hënën se qëndrimi i administratës Trump për Groenlandën ka qenë i qartë prej muajsh dhe se Shtetet e Bashkuara e shohin ishullin si pjesë të interesave të tyre strategjike dhe të sigurisë.
Në një intervistë për CNN, Miller u pyet nëse presidenti Trump do ta përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Groenlandës. Ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por vuri në dyshim bazën ligjore të pretendimit territorial të Danimarkës mbi Groenlandën, duke e cilësuar atë si një “koloni” dhe duke theksuar se ishulli ka një popullsi shumë të vogël.
“Pyetja reale është: me çfarë të drejte Danimarka pretendon kontroll mbi Groenlandën?” u shpreh Miller, duke shtuar se, sipas tij, askush nuk do të përballej ushtarakisht me SHBA-në për të ardhmen e Groenlandës.
Sipas Miller, qëndrimi zyrtar i administratës Trump është se Groenlanda duhet të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara, me arsyetimin se kjo do të shërbente për sigurinë e Arktikut dhe për interesat e NATO-s. Ai theksoi se SHBA-ja, si fuqia kryesore ushtarake e aleancës, ka rol kyç në mbrojtjen e rajonit.
Deklaratat vijnë në një klimë tensioni ndërkombëtar, pas zhvillimeve të fundit në Venezuelë dhe sinjaleve të presidentit Trump për ndryshime të mundshme gjeopolitike edhe në vende të tjera, si Kolumbia dhe Groenlanda. Nga ana tjetër, Danimarka nuk ka dhënë ende një reagim të ri ndaj këtyre deklaratave, por më herët ka theksuar se Groenlanda nuk është në shitje dhe se statusi i saj përcaktohet nga e drejta ndërkombëtare dhe vullneti i popullsisë vendase.