Vendosni fjalën kyçe....

Durrësi nën pushtetin e ujit, ndërpritet mësimi dhe energjia elektrike


Durrësi është zgjuar mëngjesin e sotëm nën pushtetin e ujit, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa segmente rrugore, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin.

Në qytetin e Durrësit, rrugët pranë stadiumit janë përmbytur, duke u bërë të pakalueshme për këmbësorët dhe duke krijuar probleme serioze për lëvizjen e automjeteve. 

E njejta situatë paraqitet edhe në rrugën “Taulantia”, pranë shëtitores në Vollga.

Mësimi është pezulluar ditën e sotme, ndërsa nuk ka ende dijeni në do të vijojë pezullimi edhe në ditët në vazhdim. Ndërkaq ka patur dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.

Situatë problematike paraqitet edhe në Xhafzotaj, ku uji ka mbuluar një pjesë të konsiderueshme të zonës, siç shihet edhe nga pamjet në terren. Gjithashtu makinat kanë vështirësi në lëvizje.

Edhe Sukthi mbetet një nga zonat më të prekura, ku sa herë përkeqësohen kushtet atmosferike, rrugët kthehen në “pishina dimërore”. Qytetarët tregojnë se për shkak të përmbytjeve, shumë automjete janë detyruar të hipin mbi trotuare për të arritur në vendet e punës.

Situata është e rëndë edhe në zonën e Fllakës, ku kanalet kulluese janë jashtë funksionit, çka ka sjellë përmbytjen e rrugëve të këmbësorëve.

Në autostradën Tiranë-Durrës situata paraqitet e rënduar nga trafiku. Janë raportuar gjithashtu disa aksidente pa lëndime në njerëz për shkak të motit të keq.

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha