
Një bastvënës anonim ka fituar gati gjysmë milioni dollarë nga arrestimi i presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, pak para se lajmi të bëhej zyrtar, duke ngritur dyshime serioze nëse dikush ka përfituar nga informacion i brendshëm mbi operacionin amerikan.
Sipas të dhënave të platformës Polymarket, një faqe bastesh e bazuar në kriptomonedha, bastet se Maduro do të ishte jashtë pushtetit deri në fund të janarit u rritën ndjeshëm në orët përpara se presidenti amerikan Donald Trump të njoftonte të shtunën se lideri venezuelian ishte kapur nga forcat amerikane.
Një llogari e vetme, e regjistruar në platformë vetëm muajin e kaluar dhe që kishte marrë katër pozicione bastesh, të gjitha të lidhura me Venezuelën, fitoi mbi 436 mijë dollarë (rreth 322 mijë paund) nga një bast fillestar prej 32,537 dollarësh, sipas BBC.
Identiteti i personit që vendosi bastin mbetet i panjohur, pasi llogaria ishte anonime dhe identifikohej vetëm nga një kod alfanumerik në blockchain.
Të dhënat e Polymarket tregojnë se pasditen e së premtes, më 2 janar, shanset që Maduro të largohej nga pushteti ishin vetëm 6.5%.
Megjithatë, ato u rritën në 11% pak para mesnatës dhe më pas u rritën ndjeshëm në orët e para të 3 janarit, duke sugjeruar një ndryshim të papritur të pozicioneve pak përpara se Trump të publikonte në Truth Social njoftimin se Maduro ndodhej në paraburgim amerikan.
Polymarket nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Ndërkohë, Dennis Kelleher, drejtor ekzekutiv i organizatës jo-partiake Better Markets, që mbron reforma financiare, i tha CBS News se “ky bast ka të gjitha shenjat e një tregtie të bazuar në informacion të brendshëm”.
Edhe disa përdorues të tjerë të Polymarket thuhet se kanë fituar dhjetëra mijëra dollarë nga bastet mbi kapjen e Maduros.
Çështja ka tërhequr vëmendjen edhe të ligjvënësve amerikanë. Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Ritchie Torres, paraqiti të hënën një projektligj që synon të ndalojë punonjësit e qeverisë të bëjnë tregti në tregjet e parashikimeve, nëse zotërojnë “informacion material dhe jo publik” që lidhet me bastet përkatëse.
Tregjet e parashikimeve kanë njohur një rritje të shpejtë në SHBA vitet e fundit.
Platforma si Polymarket dhe Kalshi u lejojnë përdoruesve të vënë baste mbi ngjarje që variojnë nga sporti te politika. Kompanitë kryesore të këtij sektori tërhoqën qindra miliona dollarë baste gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024.
Industria ishte nën vëzhgim të fortë nga rregullatorët gjatë administratës Biden, por ka gjetur një klimë më të favorshme gjatë presidencës së Trumpit. Donald Trump Jr., djali i presidentit, mban role këshillimore në Kalshi dhe Polymarket.
Ndryshe nga tregu i aksioneve, ku tregtia me informacion të brendshëm është e paligjshme, tregjet e parashikimeve kanë shumë më pak rregullime ligjore.
Një zëdhënës i Kalshi deklaroi se platforma “ndalon shprehimisht çdo formë tregtie me informacion të brendshëm, përfshirë punonjës qeveritarë që tregtojnë mbi aktivitete qeveritare”.