
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka deklaruar se autoritetet amerikane kanë konstatuar se Ukraina nuk ka shënjestruar rezidencën e presidentit rus Vladimir Putin gjatë një sulmi me dron javën e kaluar, duke hedhur poshtë pretendimet e Kremlinit që fillimisht kishin shkaktuar shqetësim në Uashington.
Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, gjatë kthimit për në Uashington pas një qëndrimi dyjavor në Florida, Trump tha se hetimet amerikane nuk mbështesin versionin e Moskës.
“Diçka ndodhi diku aty pranë, por ne nuk besojmë se rezidenca e presidentit Putin ishte objektivi. Nuk besoj se ai sulm ka ndodhur në atë mënyrë”, u shpreh Trump, përcjell AP.
Pretendimi rus u bë publik javën e kaluar nga ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, i cili deklaroi se Ukraina kishte lëshuar një valë dronësh drejt rezidencës shtetërore të Putinit në rajonin veriperëndimor të Novgorodit dhe se mbrojtja ajrore ruse i kishte neutralizuar.
Lavrov e kritikoi Kievin duke thënë se sulmi ishte kryer në një moment delikat, kur po zhvilloheshin negociata intensive për t’i dhënë fund luftës.
Akuza erdhi vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte udhëtuar në Florida për bisedime me Trump lidhur me një plan amerikan me 20 pika për përfundimin e luftës. Zelensky i mohoi menjëherë pretendimet ruse.
Trump pranoi se fillimisht kishte marrë seriozisht deklaratat e Moskës. Ai tha se Putin e kishte ngritur këtë çështje edhe gjatë një telefonate mes tyre dhe se në atë moment ai ishte shprehur “shumë i zemëruar” për akuzën.
Megjithatë, disa ditë më vonë, presidenti amerikan filloi ta relativizonte pretendimin rus, duke ndarë edhe një editorial të “New York Post” që vinte në dyshim versionin e Kremlinit dhe akuzonte Putinin për përdorimin e “gënjeshtrave, urrejtjes dhe vdekjes” në një moment kur, sipas Trump, paqja ishte “më afër se kurrë”.
Deklarata e fundit e Trump vjen në një kohë kur zyrtarë evropianë kanë argumentuar se pretendimi rus ishte thjesht një përpjekje për të minuar procesin e paqes.
Presidenti amerikan ka hasur vështirësi në realizimin e premtimit të tij për t’i dhënë fund shpejt luftës në Ukrainë dhe ka shfaqur irritim si ndaj Zelenskyt, ashtu edhe ndaj Putinit, teksa përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje.
Si Trump ashtu edhe Zelensky kanë deklaruar javën e kaluar se kanë bërë përparim gjatë bisedimeve në resortin Mar-a-Lago.
Megjithatë, Putini ka treguar pak gatishmëri për t’i dhënë fund luftës pa përmbushjen e objektivave ruse, përfshirë kontrollin e plotë mbi rajonin industrial të Donbasit dhe vendosjen e kufizimeve të ashpra mbi madhësinë dhe armatimin e ushtrisë ukrainase pas luftës.