Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Kompanitë amerikane të naftës do të rindërtojnë sektorin energjetik të Venezuelës, jo taksapaguesit amerikanë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se kompanitë amerikane të naftës janë të gatshme të investojnë miliarda dollarë për të rindërtuar dhe rikthyer në funksion infrastrukturën energjetike të Venezuelës, pa përdorur fondet e taksapaguesve amerikanë, përcjell Fox News.

Gjatë një prononcimi për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trump tha se industria dikur e fuqishme e naftës në Venezuelë është lënë në gjendje të mjerueshme pas vitesh keqmenaxhimi dhe konfiskimesh nga shteti.

“Ata na vodhën naftën. Morën infrastrukturën tonë dhe tani gjithçka është e ndryshkur, e shkatërruar dhe e kalbur,” u shpreh Trump.

Sipas tij, kompanitë amerikane janë të gatshme të marrin përsipër kostot për rikthimin e prodhimit, rindërtimin e rafinerive dhe vënien në punë të sektorit energjetik, duke investuar miliarda dollarë.

“Ne nuk do të investojmë asgjë. Kompanitë e naftës do të hyjnë, do të rindërtojnë infrastrukturën dhe do të nxjerrin naftën nga toka,” tha Trump.

Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë të angazhohen në ndërtim shteti, por të lejojnë sektorin privat të udhëheqë rimëkëmbjen ekonomike.

“Ne duam vende përreth nesh që të jenë të qëndrueshme dhe të suksesshme,” deklaroi ai.

Trump shprehu gjithashtu shpresën se ringritja e sektorit energjetik në Venezuelë do të ndihmojë në uljen e fluksit të emigracionit, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të ndërtojnë jetën e tyre në vendin e origjinës, në vend që të largohen jashtë vendit.