
Kryeministrja e Danimarkës deklaroi të hënën se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duhet marrë seriozisht kur thotë se dëshiron të blejë Groenlandën, ndërsa ajo përsëriti se ishulli nuk dëshiron të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Fuqitë evropiane u rreshtuan gjithashtu në mbështetje të Groenlandës, pasi operacioni ushtarak i SHBA-së ku u kap udhëheqësi i Venezuelës, rizgjoi shqetësimet në Danimarkë se ishulli – një territor autonom danez – mund të përballet me një skenar të ngjashëm.
Trump, i cili tha se SHBA-ja po merrte kontrollin e përkohshëm të Venezuelës, ka thënë vazhdimisht se dëshiron të marrë nën kontroll Groenlandën dhe i tha revistës The Atlantic të dielën: “Na duhet Groenlanda, absolutisht. Na duhet për sigurinë kombëtare.”
Duke folur me gazetarët në bordin e avionit Air Force One herët të hënën, Trump tha se do t’i rikthehej kësaj teme pas disa javësh.
“Fatkeqësisht, mendoj se presidenti amerikan duhet marrë seriozisht kur thotë se dëshiron Groenlandën,” i tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen medias publike DR të hënën, shkruan Reuters.
Grenlanda, ishulli më i madh në botë me një popullsi prej 57,000 banorësh, nuk është anëtare e pavarur e NATO-s, por mbulohet nga anëtarësimi i Danimarkës në aleancën ushtarake perëndimore, pjesë e së cilës është edhe SHBA-ja.
“Nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë një vend tjetër të NATO-s, gjithçka shkatërrohet,” tha Frederiksen.
Trump emëroi guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si i dërguar i posaçëm për Grenlandën muajin e kaluar. Landry ka shprehur publikisht mbështetjen për përfshirjen e Groenlandës në Shtetet e Bashkuara.
Vendndodhja strategjike e Groenlandës mes Evropës dhe Amerikës së Veriut e bën atë një pikë kritike për sistemin e mbrojtjes nga raketa balistike të SHBA-së. Burimet e rëndësishme minerale të ishullit përputhen gjithashtu me ambicien e Uashingtonit për të ulur varësinë nga eksportet kineze.