Vendosni fjalën kyçe....

Samsung do dyfishojë pajisjet celulare me AI në 800 milionë njësi këtë vit


Samsung planifikon të dyfishojë gjatë këtë viti numrin e pajisjeve të tij celulare që mbajnë veçoritë “Galaxy AI”, të cilat fuqizohen kryesisht nga modeli Gemini i Google. Sipas bashkëdrejtorit ekzekutiv të kompanisë, kjo lëvizje do t’i japë firmës një përparësi ndaj rivalëve ndërsa gara globale në inteligjencën artificiale po nxehet.

Kompania koreano-jugore, e cila deri vitin e kaluar kishte shtrirë veçoritë e AI të mbështetura nga Gemini në rreth 400 milionë produkte celulare (përfshirë telefonat inteligjentë dhe tabletët), synon që kjo shifër të arrijë në 800 milionë në vitin 2026, shkruan Reuters.

“Ne do aplikojmë inteligjencën artificiale në të gjitha produktet, të gjitha funksionet dhe të gjitha shërbimet sa më shpejt të jetë e mundur,” tha T. M. Roh për Reuters në intervistën e tij të parë që nga emërimi si bashkë-drejtor ekzekutiv i Samsung Electronics në nëntor.

Plani i mbështetësit më të madh në botë të platformës Android pritet t’i japë një shtysë të madhe zhvilluesit Google, i cili është kapur në një garë me OpenAI dhe të tjerët për të tërhequr më shumë përdorues drejt modeleve të tyre të AI.

Samsung po kërkon të rimarrë fronin e humbur ndaj Apple në tregun e telefonave inteligjentë dhe të përballet me konkurrencën nga rivalët kinezë, jo vetëm në telefoni, por edhe në televizorë dhe pajisje shtëpiake. Kompania do ofrojë shërbime të integruara të AI në të gjitha produktet e konsumit për të zgjeruar avantazhin ndaj Apple, ndonëse kjo e fundit ishte prodhuesi kryesor i telefonave vitin e kaluar.

Gara e AI: Gemini 3 kundër GPT-5.2

Google prezantoi versionin e fundit të Gemini në nëntor, duke theksuar se Gemini 3 kryeson në disa matje popullore të performancës. Si përgjigje, kreu i OpenAI, Sam Altman, thuhet se lëshoi një “kod të kuq” të brendshëm, duke pezulluar projektet dytësore për të përshpejtuar zhvillimin, gjë që u ndoq nga prezantimi i modelit GPT-5.2 pak javë më vonë.

Roh pret që përshtatja e AI të përshpejtohet, pasi sondazhet e Samsung treguan se ndërgjegjësimi për markën “Galaxy AI” u rrit nga 30% në 80% brenda vetëm një viti. Edhe pse kërkimi është veçoria më e përdorur e AI në telefona, konsumatorët përdorin shpesh edhe mjetet e gjenerimit dhe redaktimit të imazheve, përkthimin dhe përmbledhjen e teksteve.