Vendosni fjalën kyçe....

IDF paralajmëron katër fshatra në Liban për goditje të planifikuara ndaj Hamas dhe Hezbollah


Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë paralajmëruar banorët e katër fshatrave në jug të Libanit për evakuim, pasi synojnë të godasin infrastrukturën e Hamasit dhe Hezbollahit në zonë.

Paralajmërimi, publikuar në arabisht nga zëdhënësi i IDF, Lt. Col. Avichay Adraee, i kërkon banorëve të largohen të paktën 300 metra nga ndërtesat e shënuara në hartat shoqëruese, përcjell Ynet.

IDF planifikon të godasë infrastrukturën e Hamasit pranë fshatrave Annan dhe Al-Manara dhe infrastrukturën e Hezbollah pranë Kfar Hatta dhe Ain al-Tina.

Struktura të tjera ushtarake dhe depo armësh të Hezbollahit janë goditur gjithashtu në ditët e fundit, përfshirë një kompleks stërvitjeje të përdorur nga Forca Radwan.

Sipas ushtrisë izraelite, veprimet nuk janë përgjigje ndaj një sirene ajrore të aktivizuar gabimisht ditën e premte, por pjesë e aktiviteteve rutinë për të parandaluar rindërtimin e kapaciteteve të Hezbollahit.

Paralajmërimi vjen në një moment tensioni të shtuar në veri të Izraelit, më shumë se një vit pas një armëpushimi të shpallur në kufirin verior, dhe pas takimit të Kryeministrit Benjamin Netanyahu me Presidentin Donald Trump në Florida, një ngjarje që sipas mediave ka rritur shqetësimet në Liban për një “dritë jeshile” për goditje izraelite në territorin libanez.

Ky zhvillim ndodh ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta dhe ndërkombëtarët, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe shtete të Bashkimit Evropian, monitorojnë situatën për të parandaluar një përshkallëzim më të gjerë ushtarak.