
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, lidhur me përfitimet e fëmijëve të tij nga privatizimi i banesave. Ai ka deklaruar se këto përfitime janë të ligjshme dhe një proces nga i cili kanë përfituar mbi 1 milion qytetarë shqiptarë.
Berisha shpjegoi se sipas dosjes së akuzës, pas zgjedhjes së tij si President në vitin 1992, shtetasit Malltezi, të cilët nuk kishin lidhje me çështjen “Partizani”, kanë nisur investime për përfitimin e të drejtave mbi pasuri të paluajtshme.
Duke iu referuar deklarimeve të pasurisë të depozituara në ILDKPKI, Berisha theksoi se vajza e tij, Argita Malltezi, ka zotëruar një të tretën e një apartamenti banimi në rrugën “Myzeqari”, përfitim ky i ligjshëm nga privatizimi. Ai shtoi se edhe vetë ka deklaruar një apartament 3+1 të privatizuar, ku të drejtat reale i takojnë bashkëjetuesve, bashkëshortes dhe djalit.
“Fakti që vajza dhe djali im, në përputhje të plotë me ligjin, kanë përfituar nga privatizimi i banesave, po paraqitet si akuzë për korrupsion nga një prokurori politike,” tha Berisha, duke e cilësuar këtë si një akuzë të motivuar politikisht dhe pa bazë ligjore.
Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme po tenton të lidhë në mënyrë artificiale funksionin e tij shtetëror me procesin e privatizimit, duke nxjerrë konkluzione të pabazuara dhe alogjike.
Berisha u shpreh se “familja Malltezi ka përfituar nga privatizimi i banesave ashtu si mbi 1 milion shqiptarë dhe në atë kohë nuk ka qenë kryefamiljarë, por anëtarë të familjeve që kanë privatizuar në përputhje me ligjin 7652”.
Ai konsideron këtë një “novitet të akuzës” dhe një përpjekje për të rënduar situatën me bazë politike, duke përmendur emrat e prokurorëve të përfshirë në proces.