
Shpërthime të shumta tronditën kryeqytetin e Venezuelës, Karakasin, në orët e para të së shtunës, ndërsa kolona të mëdha tymi të zi dhe lëvizje avionësh u panë mbi qytet, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve që qarkulluan në rrjetet sociale.
Dëshmitarët thanë se një ndërprerje e energjisë elektrike preku zonën jugore të Karakasit, pranë një baze të rëndësishme ushtarake, raporton Reuters.
Ende nuk është e qartë se çfarë i shkaktoi shpërthimet, të cilat nisën rreth orës 02:00 të mëngjesit me orën lokale, apo se ku ndodheshin saktësisht.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka premtuar në mënyrë të përsëritur operacione tokësore në Venezuelë.
Ai nuk i ka bërë publike synimet e tij, por sipas raportimeve të Reuters, në mënyrë private ka ushtruar presion ndaj presidentit Nicolas Maduro që të largohet nga pushteti. Trump deklaroi të hënën se do të ishte zgjedhje “e mençur” që Maduro të largohej nga pushteti.
Pentagoni ia referoi pyetjet Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk pranoi të komentojë.
Nga ana e tij, Maduro ka akuzuar administratën Trump se synon ndryshimin e qeverisë për të fituar akses në rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës.
Muajin e kaluar, Trump shpalli një bllokadë ndaj të gjitha anijeve të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga ujërat venezueliane, si pjesë e strategjisë për të ushtruar presion ndaj Madurros.
Paralelisht, administrata amerikane ka zgjeruar sanksionet dhe ka kryer më shumë se dy duzina sulmesh ndaj anijeve që SHBA pretendon se ishin të përfshira në trafik droge në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve.
“Në këtë moment po bombardohet Karakasi,” shkroi në platformën X presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro. “Njoftoni të gjithë — Venezuela është sulmuar.
Po bombardojnë me raketa. OAS dhe OKB duhet të mblidhen menjëherë.” Petro nuk dha informacione të mëtejshme dhe as nuk tregoi burimin e pretendimeve të tij, por ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin ndaj fushatës së presionit të SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një grumbullim të konsiderueshëm forcash ushtarake në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë luftarakë të avancuar të dislokuar në Karaibe. Javën e kaluar,
Trump deklaroi se SHBA kishte “goditur” një zonë në Venezuelë ku ngarkohen anije me drogë, duke shënuar herën e parë të njohur që Uashingtoni ka kryer operacione tokësore në Venezuelë që nga nisja e fushatës së presionit.
Ai nuk sqaroi nëse këto sulme janë kryer nga CIA, megjithëse media të tjera kanë raportuar se agjencia e inteligjencës qëndron pas tyre.
Trump ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën se po furnizon SHBA-në me drogë, ndërsa administrata e tij prej muajsh ka bombarduar anije që nisen nga Amerika e Jugut, për të cilat pretendon se transportonin lëndë narkotike. Shumë vende i kanë dënuar këto sulme si vrasje jashtëgjyqësore, ndërsa qeveria e Madurros ka mohuar gjithmonë çdo përfshirje në trafikun e drogës.