
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ushtarake në shkallë të gjerë kundër Venezuelës, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij janë “kapur dhe janë nxjerrë jashtë vendit” në orët e para të së shtunës.
Lajmi u konfirmua për CBS News nga zyrtarë amerikanë, teksa shpërthime u raportuan në Karakas dhe në zona të tjera të vendit.
Sipas burimeve zyrtare amerikane, operacioni për kapjen e Madurros u krye nga Delta Force, njësia elitare e forcave speciale të Ushtrisë së SHBA-së, e specializuar në misione të ndjeshme kundër objektivave të nivelit të lartë.
Po kjo njësi kishte qenë përgjegjëse edhe për operacionin e vitit 2019 që çoi në eliminimin e ish-udhëheqësit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Trump konfirmoi se ishte realizuar një “sulm në shkallë të gjerë”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi vendndodhjen aktuale të Madurros apo destinacionin ku ai është dërguar.
Administrata amerikane ka akuzuar prej kohësh Maduron për trafik droge dhe bashkëpunim me grupe kriminale të shpallura organizata terroriste, akuza që presidenti venezuelian i ka mohuar vazhdimisht.
Sulmet vijnë pas muajsh të tërë përshkallëzimi të pranisë ushtarake amerikane në rajon, përfshirë dislokimin e aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford dhe anijeve të tjera luftarake në Detin e Karaibeve.
Gjatë javëve të fundit, SHBA ka sekuestruar dy cisterna nafte pranë brigjeve të Venezuelës dhe ka kryer dhjetëra sulme ndaj anijeve që, sipas Uashingtonit, përdoreshin për trafik droge.
Nga ana e Karakasit, reagimet kanë qenë të ashpra. Ministri venezuelian i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, njoftoi dislokimin e forcave ushtarake në të gjithë vendin, duke e cilësuar ndërhyrjen amerikane si “agresionin më të rëndë ndonjëherë kundër Venezuelës”.
Ai bëri thirrje për qetësi dhe unitet, pa konfirmuar apo mohuar zyrtarisht kapjen e Madurros.