
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë daljen e tij të parë publike për vitin 2026, duke komentuar zhvillimet e fundit në Venezuelë dhe situatën politike në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi rrëzimin dhe arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara si një zhvillim pozitiv, ndërsa e krahasoi kryeministrin Edi Rama me ish-udhëheqësin venezuelian, duke e quajtur “Ramaduro”.
Duke iu referuar deklaratave të fundit të kryeministrit, Berisha tha se Edi Rama ka shpallur një luftë të hapur ndaj drejtësisë dhe se vendi po shkon drejt një situate të rrezikshme politike.
“Edi Rama, apo Ramaduro, i ka shpallur luftë të hapur drejtësisë. Në monologun e tij treorësh ai pranoi të gjitha vjedhjet që u ka bërë shqiptarëve, por nuk i konsideron vjedhje. Ndaj edhe mori në mbrojtje ‘Lubi’ Ballukun dhe Lindën e AKSHI-t, për të cilën tha se kishte respekt maksimal. Njeriu që drejtoi arkat e familjes Rama nuk ka si të mos ketë respekt maksimal,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, zhvillimi më dramatik është refuzimi i hapur i institucioneve të drejtësisë nga ana e kryeministrit.
“Rama u zotua se nuk do të pranojë vendimet e prokurorisë dhe gjykatave për rrethin e tij familjar dhe ministrat e tij. Në këtë kontekst mbetet vetëm zëri i opozitës. Po shkohet drejt një grushti shteti dhe fjalën e ka populli, dhe vetëm populli. Kjo situatë na fton dhe nuk gjen askënd të papërgatitur,” deklaroi Berisha.
Në lidhje me zhvillimet në Venezuelë, kreu i PD-së theksoi se vendimi i SHBA-së për rrëzimin dhe arrestimin e Madurros përbën një lajm të mirë për botën e lirë.
“Forcat ushtarake amerikane dhe qeveria e SHBA-së morën vendimin për rrëzimin, arrestimin e diktatorit të shëmtuar të Venezuelës, Maduros, dhe evakuimin e tij jashtë vendit për t’i bërë gjyqin e merituar. Largimi i këtij diktatori, të lidhur me drogën dhe manipulimin e zgjedhjeve, është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë, veçanërisht për popullin e Venezuelës,” tha ai.
Berisha shtoi se ky zhvillim është pozitiv edhe për shqiptarët, duke e lidhur situatën në Venezuelë me realitetin politik në Shqipëri.
“Është një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët përjetojnë regjimin e klonit të tij në Shqipëri, që mediat amerikane dhe jo vetëm e kanë quajtur ‘Ramaduro’. Këto zhvillime janë një inkurajim i madh për opozitën shqiptare për të bërë detyrën e saj dhe për largimin sa më të shpejtë nga pushteti të një diktatori që qëndron mbi votën e grabitur, lidhjet me krimin dhe drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve,” u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha iu referua edhe protestave në Iran, duke theksuar se “qytete të tëra janë përfshirë nga protesta të fuqishme” dhe duke uruar që udhëheqja iraniane të ketë, sipas tij, “sa më shpejt fatin e Maduros”.