
Një tërmet me magnitudë 6.5 ballë goditi shtetin Guerrero në Meksikë në orët e para të së premtes, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe duke ndërprerë përkohësisht një konferencë për shtyp të presidentes Claudia Sheinbaum.
Lëkundjet u ndjenë teksa presidentja Sheinbaum po zhvillonte konferencën e saj të parë për këtë vit. Ajo e ndaloi qetësisht konferencën në momentin kur u aktivizua sistemi i alarmit sizmik të Meksikës, ndërsa disa persona u larguan nga salla për arsye sigurie.
Sipas Agjencisë Kombëtare Sizmologjike të Meksikës, epiqendra e tërmetit ishte pranë qytetit San Marcos, afër zonës bregdetare të Paqësorit dhe resortit turistik Akapulko. Alarmet sizmike u dëgjuan në disa zona, duke bërë që banorët të dalin në rrugë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale. Situata është vënë nën kontroll, ndërsa institucionet përkatëse vijojnë monitorimin.
Meksika është një vend i ekspozuar ndaj aktivitetit sizmik, dhe sistemi i alarmit u vendos pas tërmetit shkatërrues të vitit 1985, i cili shkaktoi mijëra viktima.