Vendosni fjalën kyçe....

Protestat në Iran për koston e jetesës përhapen në universitete, studentët i bashkohen pakënaqësisë publike



Protestat kundër rritjes së kostos së jetesës në Iran janë përhapur këtë të martë në disa universitete, raportojnë mediat gjysmëzyrtare iraniane. Studentët iu bashkuan tregtarëve dhe shitësve, duke shprehur pakënaqësi për zhvlerësimin e monedhës vendase dhe rritjen e çmimeve, përcjell DW.

Agjencia e lajmeve Fars njoftoi se qindra studentë protestuan në katër universitete në Teheran, ndërsa media të tjera raportuan se protestat u zhvilluan gjithsej në shtatë institucione arsimore në kryeqytet.

Demonstrata u shënuan edhe në universitetin e teknologjisë në qytetin Isfahan, si dhe në institucione arsimore në qytetet Yazd dhe Zanjan, sipas agjencive Ilna dhe IRNA.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, reagoi të hënën në mbrëmje përmes rrjeteve sociale, pas protestave të mëdha në Teheran, duke bërë të ditur se ka kërkuar nga ministri i Brendshëm të organizojë bisedime me përfaqësues të protestuesve për të diskutuar “kërkesat e tyre legjitime”.

“Ne kemi në axhendë masa themelore për reformimin e sistemit monetar dhe bankar dhe për ruajtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve”, u shpreh Pezeshkian.

Gjatë vitit 2025, monedha iraniane rial ka humbur gati gjysmën e vlerës ndaj dollarit amerikan. Inflacioni arriti në 42.5 për qind në muajin dhjetor, nën presionin e sanksioneve amerikane dhe evropiane, si dhe pasigurisë nga tensionet rajonale.

Zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani, deklaroi se autoritetet i “njohin” protestat dhe shqetësimet e qytetarëve.

“Ne i dëgjojmë zërat e tyre dhe e dimë se këto reagime vijnë nga presioni real mbi jetesën e njerëzve”, tha ajo.

Ndërkohë, qeveria organizoi të martën edhe një tubim të madh në Teheran me mbështetës të saj, në kuadër të protestave të zakonshme në mbështetje të regjimit.

Këto janë protestat më të mëdha publike që nga konflikti i shkurtër me Izraelin në muajin qershor, një periudhë gjatë së cilës ishte vërejtur unitet i gjerë patriotik në vend.

Ekonomia iraniane është përballur me vështirësi të mëdha që prej rikthimit të sanksioneve amerikane në vitin 2018. Situata u përkeqësua edhe më tej në shtator, pas rikthimit të sanksioneve të OKB-së, për shkak të dështimit të bisedimeve për çarmatimin bërthamor.

Të martën, kursi i këmbimit arriti në rreth 1.4 milion rial për një dollar amerikan, nga 817,500 rial në fillim të vitit. Një ditë më parë, guvernatori i bankës qendrore dha dorëheqjen, ndërsa mediat raportuan se politikat e fundit të liberalizimit ekonomik kanë ushtruar presion të madh mbi tregun valutor.