
Nga Auron Tare
Me të mbërritur në Janinë në muajin qershor 1795, mora si dhuratë nga tregtari vendas Dhimitër Vasili një figurë prej bronzi. Statueta ishte një Merkur në stilin më të përsosur të periudhës klasike greke. Pasi pyeta më tej, më thanë se ishte gjetur nga disa fshatarë në një fshat të quajtur Paramithi.
Pas një shiu të rrëmbyeshëm, ata i kishin parë tek vezullonin në një arë që e punonin dhe i kishin mbledhur një nga një. I kishin sjellë në Janinë, ku një bakërxhi i kishte blerë për t’i shkrirë, por fatmirësisht një tregtar që kishte udhëtuar deri në Moskë dhe kishte parë statuja, mendoi se kishin njëfarë vlere. I kishte blerë dhe më pas ia kishte shitur një funksionari të rëndësishëm në Shën Petersburg. Mund të them se pjesa më e madhe e tyre i kishte shpëtuar zjarrit të bakërxhiut të Janinës.”
Dëshmia e udhëtarit, gjeologut dhe botanistit irlandez John Hawkins më 1820* hap faqen e një prej historive më interesante të koleksioneve antike në kohët moderne. Rrugëtimi i figurinave prej bronzi, gjetur rastësisht në Ajdhonat (Paramythia e sotme) dhe mbërritur në British Museum. John Hawkins, një prej udhëtarëve më të hershëm në territoret e kontrolluara nga Ali Pashë Tepelena në pjesën perëndimore të Perandorisë Osmane, ishte një prej anëtarëve të “Shoqërisë së Diletantëve”, një klub aristokratësh eksentrikë, kryesisht anglezë, të cilët ishin të interesuar për udhëtime dhe eksplorime në territoret e Romës së Lashtë, Greqisë Antike dhe Orientit Mesjetar. John Hawkins, pasi kishte vizituar
Stambollin dhe disa vise të tjera të Perandorisë, kishte mbetur i bllokuar në Selanik.
Për shkak të luftës detare franko-britanike që kishte filluar, ai e kishte të pamundur të udhëtonte me anije nga Selaniku drejt Europës. Kështu që kishte çarë përmes grykave të mbushura me kacakë të territoreve malore të Vilajetit të Janinës dhe kishte mbërritur në Kryeqytetin e Aliut, Janinën.
Shënimet e tij, shumë pak të njohura, janë përmbledhur në botimin periodik të “Shoqërisë së Diletantëve”, si dhe në librin me skica nga udhëtimet e Robert Walpole në Orient, botuar në Londër më 1817*. Robert Walpole, një pasardhës i Earl-it të Oxfordit dhe Kryeministrit të parë të Britanisë, udhëtoi për mbi dy vjet në Mesdhe, duke botuar në kthim një libër shumë interesant nga zbulimet e tij në territoret e Perandorisë Osmane. Në këtë libër, mbushur me skica të vendeve që kishte vizituar,
Walpole shkruan edhe për përshtypjet e disa udhëtarëve të tjerë britanikë që kishin shkelur viset që ai vetë nuk kishte mundur t’i vizitonte, sidomos në “Turqinë Europiane”.
Ndër të tjera, ai përfshin vëzhgimet e John Hawkins-it, i cili, duke udhëtuar në vise të panjohura të Vilajetit të Janinës, kishte mundur të vëzhgonte jo vetëm fshatrat dhe kulturën e thellësisë ballkanike të Perandorisë Osmane, por, si një gjeolog dhe botanist i apasionuar, kishte mundur të bënte edhe një listë të florës që kishte hasur gjatë udhëtimit. Ndër të tjera, ai kishte zbuluar gështenjën e egër “Aesculus
hippocastanum”, e panjohur ende në Europë, e cila u soll dhe u rrit me sukses në Herbariumin e Londrës. Gjetja e figurines prej bronzi që ai i mori nga Janina përmendet shumë kalimthi, pasi interesi i tij ishte mineralogjia dhe botanika, por dëshmia e tij për zbulimin e tyre ka vlerë shumë të madhe për historinë e një prej koleksioneve më të rëndësishme të Muzeut Britanik në Londër. Koleksioni I Paramithisë.

Kjo dëshmi, në fakt, mori vlera të mëdha në 1824, kur Muzeumi Britanik mori si dhuratë koleksionin e Richard Payne Knight, një filantrop dhe eksentrik britanik par excellence. Payne, i cili kishte trashëguar një pasuri të madhe dhe jetonte midis kështjellës së tij në fshat dhe shtëpisë londineze, njihej si një nga studiuesit më të veçantë të artit antik në Londër. I njohur veçanërisht për dedikimin e tij në studime të
thelluara mbi kultin e Serapisit dhe botues i një libri unik mbi artin e dedikuar këtij kulti, ai u njoh dhe u cilësua nga publiku si kryetar i komisionit për blerjen e Statujave Antike që njihen si “Elgin Marbles”, fragmentet antike të marra nga Akropoli i Athinës nga Lordi Elgin. Richard Payne Knight argumentonte në publik se Frizat antike të sjella nga Lord Elgin nuk kishin asnjë vlerë në estetikën e artit dhe skulpturës dhe refuzoi të ndihmonte në blerjen e tyre. Përkundrazi, argumentonte ai, estetika dhe perfeksioni
artistik nuk gjendeshin në veprat masive, por qëndronin në artin e miniaturës. Për këtë arsye, në kështjellën e tij kishte mbledhur një koleksion shumë të pasur me statueta nga periudha greko-romake, por edhe nga vise të tjera të Mesdheut. Disa nga kryeveprat e sotme të Muzeut Britanik janë pjesë e koleksionit të Richard Payne Knight.
Me vdekjen e tij, ky koleksion iu fal me testament Muzeut. Ndër të tjera, kuratorët e muzeut morën edhe 12 statueta prej bronzi të periudhës greko-romake, të cilat Payne i kishte blerë në Rusi. Si një ekspert skrupuloz, ai kishte shënuar edhe historinë e tyre.Statuetat ishin sjellë nga Janina, kryeqyteti i zotërimeve të Ali Pashë Tepelenës, në Shën Petersburg nga një tregtar janjinjot.
Ishin blerë për koleksionin e Perandoreshës Katerina e Madhe (me shumë mundësi nga konti Stroganoff, drejtues i Akademisë së Arteve të Bukura të Shën Petersburgut, shenimi yne), e cila kishte dhënë pëlqimin për blerjen e tyre kur papritmas u nda nga jeta. Me vdekjen e Perandoreshës Katerina e Madhe më 1796, pagesa për to nuk u krye dhe statueta u ndanë midis koleksionit të familjes Czernicheff dhe një fisniku polak, M. de Wierislowsky, në Varshavë.*
Nje pjese e ketij koleksioni dedikuar per perandoreshen Ruse ra ne doren e Kontit Golowkin nje aristokrat rus me shume gjase degezim i familjes se famshme te Gavril Ivanovich Golowkin ish Kryeminister i Perandorise. Ndërkohë, sipas shënimeve të Richard Payne-it, një prej statuetave vjen në Londër nga një prej dragomanëve (përkthyes, shën. ynë) që shërbenin në Oborrin e Shën
Petersburgut. Duke vlerësuar rëndësinë e tyre historike dhe artistike, Richard Payne Knight dërgon një përfaqësues në Shën Petersburg, i cili negocion për blerjen e të gjithë koleksionit. Ndërkohë, në Londër kishte mbërritur John Hawkins, i cili sillte me vete jo vetëm specimene të gështenjës së egër, por edhe Merkurin e marrë në Janinë. I vetmi dëshmitar i origjinës së statuetave të gjetura në Paramithi dhe i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij zbulimi, ai filloi të kërkonte pjesët e tjera.

Mundi të zbulonte vetem dy: një Statuete te Herkulit dhe një medalion të Afërditës, të cilat kishin mbërritur në ishullin grek të Smirnës, i populluar gjerësisht nga arvanitët e kohës. Me anë të Thoma Amaxarit, dragomanit të ambasadorit turk në Londër, ai mundi t’i sillte edhe ato në Londër.* Tashmë John Hawkins ishte në zotërim të tri statuetave prej bronzi. Richard Payne dhe John Hawkings dukej sikur kishin hyre ne nje gare te forte per te sjelle ne Londer KOleksionin e Paramithise. Për një shumë që nuk është shënuar në shkrimet e tij, Payne mundi të blinte dymbëdhjetë statueta nga Shen Petersburgu.*
Ndërkohë, në rrethana të paqarta, por fatlume, dy nga statuetat e Paramithise sillen në Londër më 1820 nga Lordi Aberdeen, një personalitet i shquar i diplomacisë britanike, i cili ia dhuron ato Richard Payne Knight-it.*
Tashmë duket se pak a shumë i gjithë zbulimi i fshatarëve të Paramithise, bërë gati 25 vjet më parë, ndodhej në Londër. Të entuziazmuar nga dhurata e Richard Payne-it dhe nga lajmi se Hawkins kishte një pjesë të statuetave, kuratorët e British Museum botojnë në Buletinin e Muzeumit një përshkrim shkencor të tyre.* Ky ishte përshkrimi i parë, i cili do të pasohej ndër vite nga studiues të tjerë, të cilët i ka surprizuar vlera e jashtëzakonshme artistike e këtyre statuetave të gjetura në malësitë e Çamërisë.
Udhëtari dhe studiuesi i parë i kohës që i kushtoi vëmendje zbulimit të Paramithise ishte kapiten William Martin Leake. Si konsull pranë Ali Pashës, ai mund të udhëtonte në të gjitha territoret e Aliut. Gjatë një udhëtimi në zonën e Çamërisë më 1809, i vetëdijshëm për këtë zbulim të rëndësishëm, ai ndërmerr edhe një vizitë eksploruese përqark fshatit Paramithi. Nga dëshmitë e mbledhura nga banorët, ai e
lokalizon më qartë vendin ku u gjetën statuajat. Sipas Leake-ut, ato janë gjetur në një luginë në veri të fshatit, “pranë lumit Kokytos, ku gjendet fshati Labovë”.*
Nga vëzhgimi i tij, ai shkruan se kishte parë qeramikë të thyer të shpërndarë në fushat e fshatit, si dhe fragmente guri të punuar.Ndërkohë, ekspedita e parë e madhe arkeologjike në Epir, e udhëhequr nga Konsulli Francez i Napoleonit pranë Ali Pashës, François Pouqueville dhe më pas Henry Holland, e përmend zonën e Paramithisë si të pasur në gjetje antike, sidomos në figurina bronzi dhe objekte kultike të natyrës falike.
Studiuesi i dytë që kërkon të lokalizojë vendgjetjen e koleksionit është Nicholas Hammond, një figurë legjendare me kontribut të spikatur në studimin e antikitetit të Epirit dhe botues i një prej librave më të rëndësishëm mbi Epirin. Prof. Hammond, i cili e shkeli Çamërinë dhe Shqipërinë e Jugut gjatë viteve 1930, shkruan se vendodhja më e saktë duhet të jetë fshati i sotëm Limbone, ku janë gjetur një seri mbishkrimesh antike dhe ku kërkimet e mëtejshme e identifikojnë këtë zonë me koloninë romake të Phoitikes.

Në fakt, teza e hedhur nga Hammond se koleksioni i Ajdhonatit duhet identifikuar me koloninë romake të Phoitikes ishte edhe sfida e parë për koleksionin. Në Buletinin e British Museum dhe në botimin e “Shoqërisë së Diletantëve” të vitit 1824, koleksioni përshkruhej si “një vazhdimësi e revolucionit të artit të shkollës së Lysippos-it, art që lulëzoi në Maqedoni dhe Epir”. Nëse ky përkufizim është i saktë, atëherë koleksioni jo vetëm ka një vlerë të jashtëzakonshme për artin botëror, por edhe e vendos atë në periudhën post-Lysippiane, 370–300 p.e.s.
Ky datim u bë nga vetë Richard Payne Knight, si njohësi më i mirë i kohës, i cili besonte se statuetat duhet të ishin vepra të dala nga shkolla e Lysippos-it dhe ishin fshehur për t’u ruajtur nga pronari i tyre përpara pushtimit romak të prokonsullit Paul Emilius më 167 p.e.s., pushtim i cili solli shkatërrimin e një sërë qytetesh antike, përfshirë kryeqendrën epirote të Phoenices (Finiqi i sotëm).
Skulptori grek Lysippos, nga shkolla e Sikyonit, rivali i vetëm i shkollës së Athinës antike, mbahet si skulptori më i madh i periudhës klasike greke të veprave në bronz. Mjeshtër i realizmit dhe dinamikës së trupit njerëzor të derdhur në bronz, fatkeqësisht asnjë vepër e tij nuk ka mbërritur deri tek ne për të vlerësuar famën e tij të madhe. Megjithatë, një seri veprash të periudhës romake mendohet se janë kopje të artit të tij
ose të influencuara prej tij. Ideja se statuetat e Paramithise nuk ishin datuar në mënyrë korrekte vjen për herë të parë nga profesori gjerman Karl Anton Neugebauer, i cili në veprën e tij të vitit 1928
argumenton se statuetat duhet t’i përkasin periudhës romake. Kësaj ideje i qëndron edhe studiuesi britanik N. G. L. Hammond, i cili, pas një sërë eksplorimesh në territoret e Epirit antik gjatë viteve 1930, boton pas Luftës së Dytë Botërore kryeveprën e tij “Epiri”.
Prof. Hammond, i cili identifikon vendgjetjen e koleksionit me koloninë romake të Phoitikes pranë Paramithisë së sotme, arsyeton se datimi i statuetave të British Museum-it nuk mund të jetë i periudhës klasike helenistike, por se ato janë pjesë e një vile të rëndësishme romake. Statuetat në koleksionin e Richard Payne Knight-it nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e një lararium-i, një sanktuar i dedikuar perëndive të ndryshme që ruanin dhe mbronin familjet romake.
Gjatë periudhës romake, Lar Familiaris ishte një aspekt shumë i rëndësishëm i familjes romake. Kryesisht i vendosur pranë vatrës së shtëpisë, ky altar familjar ruante të gjitha perënditë dhe perëndeshat që ajo familje adhuronte dhe ku kryheshin ceremonitë fetare. Në këtë arsyetim, Prof. Hammond shkruan se statuetat prej bronzi duhet të kenë qenë pjesë e një vile të rëndësishme romake, e vendosur pranë kolonisë së Phoitikes.
Në fakt, me rikthimin e Jul Cezarit në Romë si diktator, një ndër reformat më të rëndësishme të propozuara në Senat ishte vendosja e veteranëve të legjioneve të tij në territoret e një sërë vendeve të Mesdheut. Prania e kolonëve romakë në Epir është përshkruar mjaft mirë nga letrat e Titus Pomponius Atticus-it, një prej mecenatëve më të rëndësishëm romakë, mik i Ciceronit dhe një prej njohësve më të mirë të kulturës
helene të kohës. Atticus, botues i fjalimeve të Ciceronit, kishte ndërtuar një vilë të madhe në territorin e Butrintit, ku kishte sjellë një koleksion veprash klasike, si dhe një mori statujash që i kishte blerë në Athinë, por edhe më tej. Atticus, i cili kundërshtonte vendosjen e kolonëve romakë në Butrint, përshkruan debatet politike të Senatit për këtë çështje, por na informon se plane për koloni të tjera në Epir ishin në diskutim.
Nuk kemi një datë të saktë se kur kolonitë romake u vendosën në bregun epirot, por me gjasë kjo ndodhi pas vrasjes së Cezarit dhe vendosjes në krye të Romës të Augustit fitimtar, i cili themelon edhe një qytet për nder të fitores së tij kundër Mark Antonit dhe Kleopatrës: Nikopolisin e famshëm (Preveza e sotme).
Pra, nëse mund të marrim si datë të vendosjes së kolonëve romakë në Epir pikërisht periudhën pas themelimit të Nikopolisit, 31 p.e.s., mund të themi se edhe kolonitë e Butrintit dhe Phoitikes mund të datohen në këtë periudhë. Ndërkohë, përpara këtij kolonizimi dimë, në veçanti nga autori romak i kësaj periudhe Varro, i cili në veprën e tij De Re Rustica shkruan se një numër i konsiderueshëm pronarësh të mëdhenj romakë ishin vendosur në Epir, ku kishin si ekonomi kryesore rritjen e bagëtive dhe zotëronin hapësira të mëdha toke.

Varro i përshkruan këta pronarë romakë si pjesë të rëndësishme të peizazhit të Epirit, të cilët jetonin në vila të mëdha dhe shërbeheshin nga një mori skllevërish. Duke pasur parasysh faktin se nga studimet mbi transformimin e shoqërisë malore epirote mësojmë se, në përgjithësi, banorët adhuronin zotat e tyre lokalë dhe se zbulimi i statujave romake në Epir është mjaft i rrallë, mund të themi se statuetat e Paramithise, të cilat përfaqësojnë në
përgjithësi zotat e një altari romak, duhet të kenë qenë pjesë e një prej vilave të rëndësishme të këtyre patricëve romano-epirotas.
Për Prof. Hammond-in nuk ka dyshim se vila e dikurshme, ku këto statueta nderoheshin dhe adhuroheshin, vjen nga një vilë e rëndësishme romake ende e pazbuluar. Ky mendim është përforcuar edhe nga disa studiues të tjerë që janë marrë me identifikimin e tyre. Por rëndësia më e madhe që këto statueta kishin për pronarin e tyre të dikurshëm ishte identiteti i tij kulturor. Vendosja e tyre në vendin më të rëndësishëm të vilës ishte një përforcim i këtij identiteti, jo vetëm për familjarët, por
edhe për të gjithë vizitorët e vilës, të cilët nuk duhet të harronin në asnjë mënyrë se
pronari i saj ishte pjesë e fuqisë që shtrinte Roma edhe në këto vise malore.*
Koleksioni i Richard Payne Knight-it dhuruar Muzeut Britanik
Siç u përshkrua më sipër, koleksioni i Richard Payne Knight-it, i cili u ble në Shën Petersburg dhe ishte pjesë e koleksionit të Perandoreshës Katerina e Madhe, iu dhurua Muzeut Britanik me një testament të veçantë. Identifikimi i këtyre statuetave u bë nga vetë Payne Knight-i, i cili, sipas studimeve të mëvonshme, ka identifikuar gabimisht datën e derdhjes së tyre në bronz. Në veçanti, statueta nr. 12, Payne Knight-i e kishte identifikuar si Ganimedin, heroin e famshëm të Homerit, i cili, sipas mitologjisë, ishte i që i shërbente në Olimp verën perëndisë Zeus.
Studiuesit e mëvonshëm kanë rënë dakord se kjo statuete nuk është Ganimedi, por një Lar, një hyjni romake që mbron familjen romake. Gjetja e Lar-it ndryshoi, në fakt, të gjithë narrativën e këtij koleksioni. Në fakt jo shumë larg kolonisë romake të Paramithisë, përtej lumit Acheron qe ndan sot kufirin modern Greko shqiptar, në koloninë e Butrintit, një statuete e ngjashme e perëndisë Pan u zbulua rastësisht nga një mësues dhe arkeolog amator ne mesin e viteve 80-te. Pani i Butrintit, me shumë gjasë edhe ai një Lar familjar i ndonjë prej banoreve në Butrint të cilët ende ruanin të forte kultin lokal të Panit, mbrojtësit të barinjve dhe pejsazheve baritore.
Në koleksionin e Richard Payne Knight-it është edhe statueta e Isis-Serapis, një perëndeshë jashtëzakonisht e rëndësishme në kulturën egjiptiane. E sjellë në hapësirën helenistike nga marrëdhëniet ndërkulturore greko-egjiptiane, Isis-Serapis adhurohej si një perëndeshë e rëndësishme e universit greko-egjiptian. Gjatë periudhës romake dhe shtrirjes së saj në Mesdhe, Isis-Serapis adhurohej nga një numër i kufizuar pasuesish, por të shpërndarë në të gjitha territoret e Romës. Përgjithësisht mendohet se adhuruesit e Isis-Serapis ishin ata që vinin nga territoret e Egjiptit dhe Sirisë. Prania e
Isis-it në koleksionin e Paramithise është një fakt shumë interesant, duke sjellë hipotezën se një person i rëndësishëm në vilën romake mund të ketë ardhur nga këto territore. Në mbishkrimet e Butrintit është vërejtur prania e një skllavi pers, i cili fiton lirinë në faltoren e Asklepit diku në shekullin III p.e.s.*

(Drini & Cabanes). Pra prania e një personi nga territoret e pushtuar te Afrikes Veriore në Epirin romak ishte një realitet i mundshëm. Një e dhënë tjetër shumë interesante mbi Koleksionin e Paramithisë vjen nga kujtimet e ish-ambasadorit britanik në Stamboll, Percy Clinton Sydney Smythe, Viskonti i VI i Strangford. Gjatë periudhës 1820–1824, ai shërbeu si përfaqësues britanik në territoret e Perandorisë Osmane dhe pati mundësinë të krijonte një koleksion të rëndësishëm me skulptura të periudhës greko-romake.
Sipas shënimeve të tij, Strangford bleu nga një tregtar janiniot me emrin Karapanos një koleksion statujash dhe objektesh antike. Ndër to përfshiheshin edhe dy statueta të vogla satiresh, të paraqitura në një gjendje të theksuar simbolike të fertilitetit. sipas burimit, këto dy statueta vinin nga krahina e Sulit, konkretisht nga Paramithia. Pas kthimit në Londër, ish-ambasadori e ekspozoi koleksionin e tij, ku satirët zunë një vend të veçantë për shkak të karakterit të tyre të rrallë ikonografik. Koleksioni mbeti
në pronësinë e tij deri pas vdekjes, kur u ble nga arkeologu i njohur Sir Charles Walston, i famshëm për studimet e tij mbi simbolikën e ekstazës dionisiake dhe dedikimet artistike të lidhura me fertilitetin në botën antike. Satirët e Paramithisë zunë një vend të rëndësishëm në koleksionin e tij privat. Në vitin 1902, Walston botoi veprën e tij më të rëndësishme, Hellenic Art: An Archaeological Review, ku përfshiu një studim të hollësishëm mbi origjinën, stilin dhe funksionin e kultit të Dionisit, si edhe mbi rëndësinë e këtyre dy statujave. Ai i përshkroi ato si “dy nga shembujt më të rrallë të artit orgiastik dionisiak që kanë
mbijetuar nga antikiteti”, duke i datuar në fund të shekullit III ose fillimin e shekullit II p.e.s. Sipas interpretimit të tij, satirët e Paramithisë ishin prodhuar nga një punishte epirote, e ndikuar nga tradita helenistike. Vlera historike e Satireve qëndron jo vetëm në mjeshtërinë teknike, por edhe në faktin se ato përfaqësojnë një dëshmi materiale të besimeve dhe riteve të lashta të Epirit, të lidhura ngushtë me
kultin e Dionisit dhe me traditat orgiastike që praktikonin bashkësitë vendore. Pas vdekjes së Walston-it në vitin 1927, koleksioni i tij u shpërnda ndër disa institucione shkencore. Dy statujat e bronzit u blenë nga British Museum, ku ndodhen edhe sot, të kataloguara me numrat BM 1927.12–16.1 dhe 1927.12–16.2. Ndërkohë, historia e Koleksionit të Paramithisë nuk mbaron këtu. Në vitin 1904, e veja e eksploratorit John Hawkins vendosi të dhurojë dy statueta nga koleksioni i tij privat në Muzeun Britanik.
Arsyet pse Hawkins nuk i kishte dashur t’i dhuronte ato gjatë jetës së tij nuk janë të qarta. Megjithatë, pothuajse 150 vjet pas zbulimit të tyre nga banorët e Paramithisë, statueta kishin udhëtuar nga Janina në Shën Petersburg, Varshavë dhe Londër, dhe për herë të parë ishin të gjitha sërish bashkë, ashtu si dikur pranë vatres romake. Ishte një udhëtim i jashtëzakonshëm prej maleve të Camërisë por edhe një histori shumë interesante që tregon se arti i vërtetë udhëton ndër shekuj.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Academia.edu