Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në Prizren, humb jetën një foshnje 1-vjeçare, tre fëmijë të tjerë shpëtojnë



Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qendër të Prizrenit, ku një banesë është përfshirë nga flakët, duke i marrë jetën një fëmije vetëm 1-vjeçar.

Sipas autoriteteve shëndetësore, foshnja ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi dhe është dërguar në spital pa shenja jete. Ndërkohë, tre fëmijët e tjerë të familjes kanë arritur të shpëtojnë dhe janë transportuar menjëherë në Spitalin e Prizrenit, ku po marrin trajtim mjekësor. Mjekët bëjnë me dije se gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata ndodhen nën monitorim të vazhdueshëm.

Specialisti i Emergjencës në Spitalin e Prizrenit, Hekuran Veçgishti, konfirmoi se fëmijët kanë pësuar intoksikim nga tymi, ndërsa për fëmijën e katërt është konstatuar vdekja në repartin e emergjencës.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, deklaroi se zjarri është raportuar rreth orës 10:00 dhe është lokalizuar plotësisht nga shërbimet zjarrfikëse. Ai shtoi se shkaqet e zjarrit ende nuk janë të qarta, por dyshohet se mund të ketë ardhur si pasojë e rrymës elektrike apo ndonjë pajisjeje elektrike.

Njësitet e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës kanë reaguar menjëherë pas marrjes së njoftimit, ndërsa hetuesit, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe ekspertët e zjarreve, po vijojnë punën për mbledhjen e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Një dëshmitar okular, Sabri Shabani, tregoi se banesa ishte përfshirë plotësisht nga flakët kur banorët dhe fqinjët u përpoqën të ndërhynin për të shpëtuar fëmijët. Sipas tij, tre fëmijë u nxorën nga banesa nga fqinjët, ndërsa për të katërtin ndërhyrja ishte e pamundur për shkak të intensitetit të flakëve.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të këtij zjarri.