
Një shkëputje e furnizimit me energji elektrike në Tunelin e Kanalit ka ndalur mijëra udhëtime përpara festave të Vitit të Ri, duke bërë që të gjitha trenat e pasagjerëve dhe të automjeteve të pezullohen për disa orë. Inxhinierët punuan me shpejtësi për të riparuar defektin, përcjell Guardian.
Udhëtimet e pasagjerëve të Eurostar drejt kontinentit fillimisht u vonuan, pastaj u anuluan, duke mbushur sallat e St Pancras International në Londër me udhëtarë të bllokuar që prisnin informacion të ri. Në Folkestone, Kent, u formuan rradhë të gjata për shoferët që shpresonin të kapnin shuttle-in, disa prej tyre duke pritur deri në shtatë orë.
Sipas operatorit të tunelit, Getlink, defekti teknik filloi të hënën në mbrëmje dhe ishte “një incident i lidhur me furnizimin me energji elektrike për trenat”.
Eurostar njoftoi se ndërprerja çoi në dështimin e një treni LeShuttle, i cili transporton makina dhe automjete të ngarkuara, por treni u nxorr më vonë nga tuneli.
Udhëtarët raportuan situata të vështira. Jack Slater dhe e dashura e tij u detyruan të anulonin një udhëtim të planifikuar në Paris për Vitin e Ri. “Na këshilluan të riplanifikojmë për nesër, por të gjitha trenat janë plot, kështu që opsioni i vetëm do të ishte të blinim bileta klase e parë – shumë shtrenjtë,” tha ai.
Një tjetër udhëtare, Betty Ndukaeze, tha se kishte filluar udhëtimin e saj me vonesë, por treni ndaloi dhe pas një kohe të gjatë u kthyen në St Pancras. “Ishte kaos që nga momenti që mbërritëm,” tha ajo.
Deri të martën pasdite, Eurostar njoftoi se shërbimet drejt dhe nga Londra do të rifillojnë rreth orës 18:00, por këshilloi fuqimisht udhëtarët të shtyjnë udhëtimet e tyre. Të gjitha nisjet për Paris më 30 dhjetor u anuluan, përveç dy trenave në 18:01 dhe 19:01. Në drejtim të Londrës, vetëm trenat në 18:12 dhe 19:12 ishin planifikuar të niseshin.
Getlink theksoi se, për shkak të problemeve me furnizimin elektrik, vetëm një linjë është e hapur për trenat, duke shkaktuar vonesa dhe udhëtime më të gjata se zakonisht. Ata këshilluan udhëtarët që të riplanifikojnë udhëtimet për një ditë tjetër dhe të mos shkojnë në stacion nëse trenat e tyre janë anuluar.
Eurostar, që transporton pasagjerë këmbësorë, dhe LeShuttle, që transporton automjete, përdorin të dyja dy binarët e tunelit, të cilët zakonisht përdoren për një drejtim. Shërbimet transportojnë mijëra pasagjerë çdo ditë gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.