
Qeveria synon të shkojë drejt përafrimit të plotë me standardet e Bashkimit Europian në fushën e Investimeve të Huaja Direkte.
Një projekt-akt i ri i nxjerrë për konsultim parashikon të vendosë një mekanizëm shqyrtimi për investimet në sektorët kritikë të ekonomisë, me fokus sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Në një intervistë për “Monitor” , Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit Enkelejd Musabelliu shpjegon risitë kryesore të rregullores dhe mënyrën si do të funksionojë procesi i vlerësimit. Ai sqaron mënyrën sesi është konceptuar në draft balanca mes mbrojtjes së interesit publik dhe lirisë së tregut.
A mund të sqarojmë shkurtimisht se çfarë është ky projekt-akt dhe çfarë ndryshimi apo risie sjell ai për kuadrin ligjor aktual lidhur me Investimet e Huaja Direkte?
Projektakti mbi shqyrtimin e investimeve të huaja synon të përafrojë plotësisht Rregulloren e BE Nr. 2019/452 “mbi përcaktimin e një kuadri për shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte në Bashkimin Europian”. Investimet e huaja direkte në sektorët e ekonomisë që mund të cenojnë rendin apo sigurinë e vendit dhe që plotësojnë disa kritere specifike, duhet t’i nënshtrohen një procedure shqyrtimi para se të procedojnë me regjistrimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Rregullorja parashikon ngritjen e një mekanzimi kombëtar shqyrtimi që do të koordinohet nga struktura përgjegjëse që do të ngrihet pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe do të përfshijë një sërë institucionesh të tjera, që nga Ministritë e linjës gjer tek agjencitë e tjera ekzekutive.
Vendimmarrja për autorizimin apo refuzimin e një investimi të huaj do të bëhet nga një Komitet Ndërministror i cili kryesohet nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit dhe përfshin ministritë e linjës e agjencitë e tjera të përfshira.
Gjithashtu, rregullorja parashikon edhe ngritjen e një mekanizmi bashkëpunimi në të cilin lidhen të gjitha njësitë përgjegjëse për shqyrtimin e investimeve të huaja në vendet anëtare, nën koordinimin e njësisë qendrore që është ngritur pranë Komisionit Europian.
Sa herë që një vend nis një procedurë shqyrtimi për një investim të caktuar, menjëherë njoftohen njësitë përgjegjëse në vendet e tjera anëtare dhe gjithashtu edhe Komisioni Europian.
Kësisoj, në shqyrtimin e investimeve të huaja që mund të cenojnë sigurinë publike Shqipëria do të bashkëpunojë me Komisionin Europian dhe gjithë vendet anëtare të BE.
Si lidhet ky draft me angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe kapitujt përkatës?
Përafrimi i kësaj Rregulloreje dhe ngritja e mekanizmit kombëtar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte është një ndër piketat përmbyllëse të Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”, negociatat për të cilin drejtohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Është e rëndësishme të theksojmë se negociatat për këtë kapitull parashikohet të përmbyllen shumë shpejt, brenda tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, sepse i kemi realizuar të gjitha piketat përmbyllëse.
Mbeten vetëm miratimi i rregullores mbi shqyrtimin e investimeve të huaja dhe i ndryshimeve ligjore në Ligjin Nr. 46/2018 për kontrollin shtetëror të mallrave me përdorim të dyfishte, i cili është gjithashtu drejt finalizimit, dhe ky kapitull mund të mbyllet.
Për ta bërë më të kuptueshëm çfarë ndryshon për një investitor të huaj ky mekanizëm i ri vlerësimi?
Për shumicën e investitorëve të huaj në Shqipëri nuk do të ndryshojë asgjë pasi dispozitat e kësaj Rregulloreje nuk zbatohen as mbi gjithë sektorët e ekonomisë e as mbi investimet e huaja që e kanë origjinën nga vendet anëtare të BE-së apo vendet e tjera aleate si SHBA apo Mbretëria e Bashkuar.
Dispozitat e Rregullores shtrihen vetëm mbi sektorët kritikë të ekonomisë si infrastruktura kritike, armët, teknologjia kritike, etj.
Investitorët e huaj në një nga këta sektorë kritikë e që nuk e kanë origjinën nga vendet e përmendura më sipër duhet t’i nënshtrohen një procedure shqyrtimi, çka nënkupton se duhet të aplikojnë për një autorizim pranë Ministrisë përgjegjëse për ekonominë, para se të regjistrojnë në QKB shoqërinë e tyre apo blerjen e aksioneve të një shoqërie ekzistuese shqiptare. Investitori i huaj nuk mund të procedojë me regjistrimin në QKB nëse nuk paraqet autorizimin për të vijuar me investimin. Për çdo aplikim, rregullorja parashikon se procedura për autorizimin, autorizimin me kushte, apo refuzimin e një investimi të huaj, nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë.
A po flasim për një mekanizëm kontrolli, parandalimi apo thjesht transparence mbi investimet strategjike?
Ç’është e vërteta, kemi të bëjmë me një mekanizëm shqyrtimi, i cili synon të shqyrtojë e kontrollojë investimet e huaja në sektorët kritikë të ekonomisë për të parandaluar cenimin e sigurisë kombëtare apo të rendit publik.
Për t’u thelluar pak më shumë, për të përcaktuar nëse një investim apo investitor i huaj mund të cenoje rendin publik apo sigurinë kombëtare mbahen parasysh tre faktorë kryesorë: nëse investitori i huaj kontrollohet drejtpërdrejt apo tërthorazi nga një vend i tretë, nëse investitori i huaj ka cenuar rendin apo sigurinë e një vendi të BE-së apo nëse ka dyshime se investitori është angazhuar në aktivitete të paligjshme apo kriminale.
Cilat janë sektorët që përfshihen për herë të parë në një filtër të tillë institucional?
Rregullorja e BE 2019/452 parashikon ngritjen e një mekanizmi për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte në disa sektorë kyç të ekonomisë, ku përfshihen:
Infrastruktura kritike (energjia, transporti, uji, shëndeti, telekomunikacioni, media, ruajtja apo përpunimi i të dhënave, mbrojtja, infrastruktura zgjedhore apo financiare, etj.);
Teknologjitë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, duke përfshirë inteligjencën financiare, robotikën, gjysmë-përçuesit, sigurinë kibernetike, teknologjitë kuantike apo nukleare, nanoteknologjitë dhe biteknologjitë;
Furnizimin e inputeve kritike, si energjinë, materialet e papërpunuara dhe sigurinë ushqimore;
Aksesin në informacionin sensitiv, duke përfshirë të dhënat personale apo aftësinë për kontrollin e këtij informacioni;
Lirinë dhe pluralizmin e medias.
Qëllimi ynë fillestar ka qenë që zbatimin e Rregullores ta shtrijmë mbi gjithë sektorët e sipër-përmendur.
Megjithatë, gjatë konsultimeve me Komisionin Europian, na u rekomandua që të nisim vetëm me një apo dy sektorë dhe të fokusohemi kryesisht tek ngritja e mekanzimit dhe rritja e kapaciteteve dhe, në një hap të dytë, kur mekanzimi të jetë ngritur e burimet njerëzore të kenë kapacitetet e nevojshme, zbatimi i rregullores mund të shtrihet edhe në sektorët e tjerë.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit zhvilloi një analizë të brendshme dhe propozoi sektorët e lidhur me “aksesin në informacionin sensitiv” dhe “lirinë e medias”, duke u bazuar në numrin e kompanive të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri në secilin prej sektorëve të sipër-përmendur si edhe potencialin për cenimin e sigurisë publike të vendit, sidomos në konsideratë të sulmeve kibernetike të vendit tonë dhe kërcënimeve të luftës hibride përmes fushatave të dezinformimit.
Megjithatë, projektVKM është ende në bashkërendim ndërinstitucional dhe në konsultim publik dhe në bashkërendim të plotë (ashtu si për çdo akt tjetër të lidhur me integrimin europian), me Komisionin Europian dhe aleatët tanë strategjikë, sektorët e përzgjedhur edhe mund të ndryshojnë.
Si do të funksionojë konkretisht procesi i vlerësimit: kush vendos, në çfarë afatesh dhe mbi çfarë kriteresh?
Siç e përmenda edhe më sipër, një investitor i huaj në sektorët kritikë të ekonomisë, që plotëson kriteret për t’iu nënshtruar procedurës së shqyrtimit, duhet të aplikojë për autorizim pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Autorizimi duhet të merret para se investitori i huaj të regjistrojë në QKB shoqërinë e re apo blerjen e aksioneve të një shoqërie ekzistuese shqiptare.
Struktura përgjegjëse pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit përgatit dokumentacionin dhe ia përcjell Komitetit Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte jo më vonë se 10 ditë nga marrja e aplikimit.
Ky informacion duhet të përmbajë detaje mbi strukturën e pronësisë, origjinën e kapitalit, vendet e tjera ku investitori ushtron aktivitetin, operacionet e biznesit, etj..
Komiteti duhet të marrë një vendim për autorizimin, autorizimin me kushte ose refuzimin e investimit të huaj brenda 30 ditëve. Komiteti ka gjithashtu tagrin të kërkojë dokumentacion shtesë apo të angazhojë ekspertizë.
Si sigurohet që kjo rregullore të mos perceptohet si një pengesë për investimet e huaja?
Duhet të theksojmë që në krye të herës që kjo Rregullore zbatohet vetëm mbi një numër të kufizuar investimesh të huaja direkte.
Së pari, Rregullorja zbatohet vetëm mbi disa sektorë kritikë të ekonomisë dhe investimet e huaja në sektorët e tjerë nuk i nënshtrohen asnjë shqyrtimi.
Së dyti, investimet e huaja direkte që e kanë origjinën nga vendet anëtare të BE-së apo nga vendet aleate, nuk i nënshtrohen shqyrtimit.
Së treti, siç e theksova edhe më sipër, edhe në sektorët kritikë, investimet e huaja i nënshtrohen shqyrtimit vetëm kur ka dyshim se investitori i huaj kontrollohet nga një qeveri e huaj, është i lidhur me organizata terroriste apo kriminale apo ka rrezikuar sigurinë e ndonjë vendi tjetër në të shkuarën.
Gjatë vitit 2024, në gjithë vendet e Bashkimin Europian janë shqyrtuar gjithsej vetëm rreth 5,200 investime të huaja, dhe në 85% të rasteve investimeve të huaja u është dhënë drita jeshile për të vijuar pa pasur nevojë të plotësojnë ndonjë kusht. Vetë raportet e Komisionit Europian sigurojnë se zbatimi i kësaj Rregulloreje nuk e ka ndikuar fare klimën e investimeve të huaja brenda tregut të vetëm europian.
Si ruhet ekuilibri mes sigurisë kombëtare dhe lirisë së tregut?
Synimi kryesor i rregullores është mbrojtja e sektorëve kritikë të ekonomisë që mund të cenojnë sigurinë apo rendin publik, dhe jo cenimi i lirisë së tregut. Duhet të theksojmë se liria e tregut cenohet nga rregullat e funksionimit të tregut dhe jo nga rregullat që shqyrtojnë se cilët aktorë mund të hyjnë në një treg specifik. Pastaj, kjo rregullore ka disa vite që zbatohet në vendet e Bashkimit Europian pa e cenuar fare as lirinë e tregut e as klimën e investimeve.
Çfarë mësimesh ka nxjerrë BE nga zbatimi i Rregullores 2019/452, veçanërisht pas pandemisë dhe tensioneve gjeopolitike?
Zbatimi i kësaj Rregulloreje ka nisur vetëm katër vjet më parë dhe ajo zbatohet plotësisht nga 24 vende anëtare. Përjashtim bëjnë vetëm Kroacia, e cila po e miraton legjislacionin përkatës vetëm tani, Greqia dhe Qipro. Pavarësisht kohës së shkurtër të zbatimit, ekzistojnë një sërë raportesh që identifikojnë dobësi të Rregullores dhe propozojnë ndërhyrje përmirësuese.
Çështja më e rëndësishme lidhet me moszbatimin simetrik të Rregullores në të gjitha vendet anëtare pasi sektorët që duhet të përfshihen nuk janë përcaktuar qartë çka ka bërë që vende të ndryshme i kanë interpretuar ndryshe sektorët në të cilët investimet e huaja duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit, duke krijuar pabarazi mes vendeve të ndryshme brenda tregut të vetëm europian.
Përfshirja e lirisë së medias në këtë rregullore është një element i ndjeshëm si do të garantohet që ajo të mos cenojë pavarësinë editoriale?
Qëllimi i Rregullores nuk ka të bëjë fare me shqyrtimin apo kontrollin e veprimtarisë së investimeve të huaja pasi janë vendosur në vendin tonë dhe mekanizmi i shqyrtimit që do të ngrihet nuk ka asnjë mjet në dispozicion për ndikimin e kësaj veprimtarie. Sa i përket lirisë së medias,
Rregullorja parashikon që investimet e huaja në media që plotësojnë kriteret e mësipërme, duhet t’i nënshtrohen procedurës së shqyrtimit para se transaksionet të regjistrohen në QKB.
Pra, një investitor i huaj në media që dëshiron të regjistrojë një media në Shqipëri apo të blejë aksionet e një medie ekzistuese, nëse plotëson kriteret, i nënshtrohet procedurës së shqyrtimit para se media e re apo blerja e aksioneve të regjistrohen në QKB.
Nga momenti i regjistrimit e më pas, media nuk i nënshtrohet më asnjë procedure shqyrtimi, çka e bën të pamundur ndikimin mbi pavarësinë editoriale.
Si do të trajtohen investimet që lidhen me platformat digjitale, të dhënat personale dhe inteligjencën artificiale?
Investimet e huaja në sektorët që po përmendni do t’i nënshtrohen procedurës së shqyrtimit njësoj si sektorët e tjerë të përfshirë në këtë Rregullore, që do të thotë para se të regjistrohen në QKB. Pas marrjes së autorizimit, veprimtaria e këtyre investitorëve do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes nga ana e institucioneve të specializuara sipas paracaktimeve të ligjeve të veçanta sektoriale.
Sa transparent do të jetë procesi i shqyrtimit për publikun dhe biznesin?
Njësoj siç ndodh me çdo akt tjetër ligjor të BE, parimi i transparencës është ndër më thelbësorët. Edhe në këtë rast transparenca për biznesin do të jetë maksimale dhe në rastet e refuzimeve, Komiteti Ndërministror do t’i vendosë në dispozicion një vendim të detajuar biznesit, i cili, mund edhe të ankimohet në Gjykatë. Nga ana tjetër, të dhënat shtesë që do të vendosen në dispozionin nga biznesi, do të konsiderohen konfidenciale dhe do të trajtohen si të tilla. Sa i përket transparencës me publikun, Komitetit Ndërministror do të publikojë çdo vit një raport të detajuar mbi veprimtarinë e tij gjatë vitit paraardhës.
A parashikohen mekanizma ankimi apo rishikimi për investitorët që preken nga një vendim negativ ?
Siç e prekëm pak edhe më sipër, vendimet e Komitetit Ndërministror mund të ankimohen pranë Gjykatës së Tiranës brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit./Monitor