
Qeveria është e bindur se bllokimet e autostradave nga fermerët protestues do zgjasin të paktën deri në festën e Epifanisë (Ujit të Bekuar), një festë kombëtare që festohet më 6 janar.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis iu referua konkretisht 6 janarit në një intervistë të hënën, duke u kërkuar qytetarëve “të tregojnë mirëkuptim” deri atëherë.
Zyrtarët thonë se janë të vendosur të mos lejojnë që bllokimet – të cilat kanë penguar lëvizjen në autostrada, kanë ndikuar në vjeljen e tarifave rrugore dhe kanë penguar pikat doganore në kufijtë ndërkombëtarë – të vijojnë edhe për shumë kohë. Por, gjetja e një zgjidhjeje është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.
Qeveria dëshiron të shmangë me çdo kusht një operacion policor: perspektiva e dhunës dhe reagimi i mundshëm publik do ishin shumë të vështira për t’u menaxhuar.
Idealisht, qeveria do dëshironte t’i shihte fermerët të pranonin bisedime për kërkesat e tyre; por, edhe pse janë shfaqur çarje, me disa shoqata fermerësh që bëjnë thirrje për taktika më delikate, zyrtarët nuk mendojnë se lëvizja e moderuar është mjaftueshëm përfaqësuese për të legjitimuar bisedimet vetëm me disa fermerë.
Mitsotakis, në intervistë, pretendoi se “shumë pjesëmarrës në bllokime duan të bisedojnë me ne, por po bullizohen” nga të tjerët që nuk duan që shfaqja e unitetit të shembet.
“Zgjidhja për kërkesat e fermerëve do vijë vetëm përmes dialogut,” shtoi Mitsotakis.
Për të dyja palët, mbledhja e ardhshme e përgjithshme e protestuesve më 3 janar do jetë vendimtare. Qeveria shpreson zyrtarisht që moderimi do mbizotërojë më në fund dhe fermerët do pranojnë të takohen, diçka që ata e kanë hedhur poshtë me forcë deri më tani.
Por nëse mbledhja afirmon qëndrimin e vijës së ashpër, qeveria është e gatshme të fillojë vendosjen e gjobave për ndërprerjen e trafikut dhe të tregtisë. Ajo do kërkojë gjithashtu të rikuperojë paratë që operatorët e autostradave do kenë të drejtë t’i marrin si dëmshpërblim për ndërprerjet në funksionimin e tyre – të cilat protestuesit i reklamojnë si “çlirim i autostradave” për popullin.
Qeveria shpreson gjithashtu që publiku, i cili fillimisht ishte mbështetës ndaj fermerëve, do fillojë të lodhet nga paepshmëria e tyre dhe kërkesat shpesh ekstreme që do rëndonin të gjithë taksapaguesit, si p.sh.:
Dyfishimi i menjëhershëm i pensioneve të fermerëve.
Çmimet e garantuara të prodhimit.
Heqja e TVSH-së.
Energjia elektrike e lirë.
Anulimi i vendimit për kalimin e menaxhimit të subvencioneve te autoritetet tatimore në vend të agjencisë së korruptuar OPEKEPE (lëvizje e imponuar nga BE).
Anulimi i importeve pa doganë nga vendet që kanë nënshkruar marrëveshje tregtare me BE-në.
Për këtë qëllim, qeveria po gjen pak ngushëllim në faktin se skandali i subvencioneve bujqësore – i përmendur nga fermerët si një nga arsyet e protestës së tyre – ka prekur dy nga udhëheqësit më të dukshëm të bllokimeve në Greqinë qendrore, disa prej aseteve të të cilëve është urdhëruar të sekuestrohen.
Njësia e organizuar e policisë ka arritur në përfundimin se një nga udhëheqësit e protestuesve, Giorgos Botas, ka përfituar ilegalisht 49,000 euro subvencione bujqësore nga viti 2019-2024 për rritjen e supozuar të kulturave bujqësore në tokë me qira që nuk figuron asgjëkundi në regjistrin kombëtar të pasurive. Ai është udhëheqësi i dytë i fermerëve që akuzohet kështu, pas Kostas Anestidis, shkruan Kathimerini.