
Forcat e sigurisë në Siri kanë vendosur ndalim qarkullimi në qytetin bregdetar të Latakias, një bastion i komunitetit Alavit, pas dy ditësh trazirash që u shndërruan në përleshje ndër-sektare, raporton media shtetërore të martën për DW.
Ndalimi i qarkullimit do të jetë në fuqi nga ora 17:00 e ditës së martë deri në orën 06:00 të mëngjesit të ditës së ardhshme. Vendimi u mor pas protestave që shpërthyen gjatë varrimit të njërit prej viktimave të vdekura në demonstratat e së dielës. Autoritetet shëndetësore të Latakias raportuan se katër persona humbën jetën dhe 108 të tjerë u plagosën gjatë trazirave.
Protestat filluan nga mijëra banorë Alavitë në Sheshin Azhari të qytetit, të cilët kërkonin një sistem politik të decentralizuar dhe lirimin e mijëra të burgosurve Alavitë. Kjo çoi në kundër-protesta nga anëtarë të komunitetit Sunni.
Popullsia e qytetit është kryesisht Sunni, ndërsa Alavitët janë të përqendruar kryesisht në zonat rurale të provincës Latakia. Minoriteti Alavit ka qenë gjithashtu objekt sulmesh që pasuan largimin nga pushteti të Bashar Al Assad, i cili vetë është Alavit, vitin e kaluar. Një sulm me bombë ndaj një xhamie Alavit në qytetin Homs të premten la tetë të vdekur dhe rriti tensionet në zonat bregdetare.
Presidenti i Sirisë, Ahmed Hussein al-Sharaa, ka kërkuar të garantojë se të gjitha minoritetet etnike dhe fetare do të jetojnë në paqe nën qeverisjen e tij, por skepticizmi mbetet i lartë mes grupeve si Alavitët, Druzet dhe Kurdët, për shkak të të kaluarës së tij në organizata islame radikale gjatë konfliktit të gjatë sirian.