Vendosni fjalën kyçe....

Lahuta një himn që shoqëron popullin shqiptar brez pas brezi


Lahuta shqiptare është bërë pasuri botërore e UNESCO-s, pasi është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale për mbrojtje urgjente.

Lahuta është vegël muzikore e përbërë nga një kasë druri, e mbuluar përsipër me lëkurë e me bisht të gjatë, që ka vetëm një fill ose vetëm një tel dhe që i bien me hark të përkulur për të përcjellë këngët.

Ky instrument i traditës shqiptare ka qenë ndër shekuj pjesë e ceremonive, festave dhe traditave në zonat veriore të Shqipërisë, në Kosovë dhe në disa zona ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.

Në Shqipëri, mjeshtrit e prodhimit të lahutës janë të paktë, ku njëri prej tyre është edhe 70-vjeçari Gjelosh Alia, që prej disa dekadash punon në punishten e tij në Tiranë.

Ish-mësuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, përveç profesionit të tij si mësues ka punuar edhe si artizan, duke prodhuar për gjysmëshekulli vegla muzikore popullore, si lahutën, çiftelinë, sharkinë dhe laurinë.

– Lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës së artizanit shqiptar

Për Anadolu, Alia tregon se për 50 vjet merret me prodhimin e veglave muzikore popullore, përfshirë edhe lahutën dhe thekson se lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij.

“Nga pasioni, dëshira, kam filluar me çiftelinë, por edhe me lahutën. Këtë(zanat) jam munduar ta mbaj gjallë vazhdimisht. E kam pas në qendër të vëmendjes gjithmonë dhe jam ndier shumë mirë, sidomos kohëve të fundit që dola në pension. Jam i kënaqur që punoj, i prodhoj, luaj me to dhe janë bërë pjesë e jetës time”, shprehet ai.

Artizani shqiptar tregon se lahuta futet tek instrumentet kordofone, me tela, por ka veçoritë dhe karakteristika të veçanta, ndryshe nga kordofonet e tjera, nga çiftelia dhe shkarkia, duke filluar që nga zgjedhja e drurit.

– “Lahuta është një himn që e ka shoqëruar popullin shqiptar brez pas brezi”

Alia tregon se për prodhimin e lahutës preferon të përdorë së pari drurin e manit, pastaj arrën dhe qershinë, duke i konsideruar më të mirët për prodhimin e kësaj vegle muzikore popullore.