
Hajdutë të panjohur kanë arritur të futen në kasafortën e një banke në Gjermani, duke vjedhur sende me vlerë dhjetëra milionë euro nga kasetat e sigurisë, pasi e kanë çarë atë me një mjet shpues gjatë ditëve të pushimeve, njoftoi policia.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin Gelsenkirchen, ku rreth 2.700 klientë të bankës Sparkasse janë prekur nga vjedhja, sipas policisë dhe vetë institucionit bankar, përcjell Euronews.
Zëdhënësi i policisë, Thomas Nowaczyk, deklaroi se hetuesit vlerësojnë se vlera e sendeve të vjedhura varion nga 10 deri në 90 milionë euro.
Agjencia gjermane e lajmeve dpa raportoi se kjo grabitje mund të jetë një nga më të mëdhatë në historinë e Gjermanisë.
Alarmi i zjarrit ka thirrur policinë dhe zjarrfikësit në degën e bankës pak para orës 04:00 të mëngjesit të së hënës.
Me të mbërritur në vendngjarje, autoritetet gjetën një vrimë në mur dhe kasafortën të shkatërruar. Sipas policisë, autorët dyshohet se kanë përdorur një shpues të madh për të çarë murin e bodrumit të kasafortës.
Të martën banka mbeti e mbyllur, ndërsa rreth 200 persona u paraqitën në ambientet e saj duke kërkuar të hynin brenda, raportoi dpa.
Dëshmitarë okularë u kanë thënë hetuesve se gjatë fundjavës kanë parë disa burra që mbanin çanta të mëdha në një parkim makinash aty pranë.
Pamjet filmike nga ky parkim tregojnë persona të maskuar brenda një automjeti të vjedhur, në orët e para të mëngjesit të së hënës, sipas policisë.
Gelsenkirchen ndodhet rreth 192 kilometra në veriperëndim të Frankfurtit, qendrës financiare të Gjermanisë dhe të Europës, ku ka selinë edhe Banka Qendrore Europiane.