
Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë bërë një deklaratë të përbashkët, duke kërkuar formimin e shpejtë të institucioneve të reja në Kosovë.
“Pas bllokadës politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, presim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të shtojë përpjekjet për reformat e domosdoshme lidhur me BE-në. Procesi zgjedhor tregoi një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike,” thuhet në deklaratë.
BE gjithashtu rikujton rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. “Normalizimi i marrëdhënieve, i facilituar nga BE-ja, vazhdon të jetë mënyra e vetme që të dyja vendet të bëjnë përparim në rrugët e tyre evropiane. Presim që të gjitha detyrimet nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe marrëveshjet e mëparshme të Dialogut të zbatohen pa vonesa apo kushte të mëtejshme,” thuhet në deklaratë. BE-ja është e gatshme të organizojë një takim në nivel të lartë sapo kushtet e lejojnë.
Sipas deklaratës, BE-ja ka dërguar një Mision Ekspert Zgjedhor (EEM) në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore. Përfaqësueset e BE-së bëjnë thirrje që Kuvendi i ri të ratifikojë marrëveshjet lidhur me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor 2024-2027, për të përfituar nga të gjitha mundësitë që ofron plani.
Po ashtu, Bashkimi Evropian rikujton se ka filluar heqja e masave financiare ndaj Kosovës. “216 milionë euro ndihmë financiare janë liruar tashmë pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal pas zgjedhjeve lokale të fundit. Synojmë të lirojmë edhe 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm,” thuhet në deklaratë.