Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 14 mijë dosje të prapambetura në Gjykatën e Lartë, Sadushi: Një gjyqtar jep mesatarisht 429 vendime në vit


Gjykata e Lartë vijon të përballet me një ngarkesë të rëndë çështjesh të pashqyrtuara, ku mbi 14 mijë dosje presin ende vendim, ndërsa një pjesë e tyre janë depozituar që në vitin 2016.

Kreu i këtij institucioni, Sokol Sadushi, e cilësoi situatën si jashtë çdo normaliteti dhe ngriti alarmin për mungesën e theksuar të gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë.

Gjatë konferencës së fundvitit, Sadushi bëri të ditur se vetëm në vitin 2025 janë dhënë 6 876 vendime, çka përkthehet në rreth 19 vendime në ditë, përfshirë edhe ditët e pushimit. Sipas tij, këto shifra nuk përfaqësojnë një funksionim normal të drejtësisë.

“Ulja e backlog në 61%, duke e reduktuar në 14 081 çështje. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6 876 vendime. Çdo gjyqtar ka dhënë mesatarisht 429 vendime në vit. Këto shifra nuk janë normalitet gjyqësor, ato janë stërmundim profesional”, u shpreh kreu i Gjykatës së Lartë.

Sadushi theksoi se ende po shqyrtohen çështje të depozituara nëntë vite më parë.

“Kolegji civil po përfundon çështje të vitit 2016, po kalon në vitin 2017 dhe tek-tuk ndonjë çështje e procedurës së veçantë e vitit 2018”, deklaroi ai.

Sipas Sadushit, panorama është e errët në të gjithë sistemin gjyqësor, ku mungesa e gjyqtarëve mbetet problemi themelor.

“Mungesa e gjyqtarëve është pjesa themelore e sistemit të drejtësisë. Me 110 gjyqtarë më pak”, tha ai, duke shtuar se situata rëndohet edhe më shumë nga kapacitetet e kufizuara të Shkollës së Magjistraturës.

“Deri në vitin 2028 do të nxirren jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, nënvizoi Sadushi.

Ai kërkoi që Këshilli i Lartë Gjyqësor të ndërhyjë për rritjen e pranimeve në Shkollën e Magjistraturës, duke evidentuar se gjykatat e apelit janë hallka më kritike e sistemit.

“Gjykatat e Apelit përbëjnë hallkën më kritike të sistemit, me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar”, theksoi kreu i Gjykatës së Lartë.

Në përfundim, Sadushi i bëri thirrje qeverisë dhe Kuvendit që të veprojnë urgjentisht për të garantuar funksionimin normal të drejtësisë dhe për t’u ofruar qytetarëve vendime brenda afateve ligjore.