
Të paktën 13 persona humbën jetën dhe më shumë se 90 të tjerë u plagosën pasi një tren ndërqytetas doli nga shinat të dielën në shtetin Oaxaca të Meksikës, bëjnë me dije autoritetet vendase për DW.
Sipas Marinës Meksikane, e cila mbikëqyr linjën hekurudhore, treni Interoceanic po transportonte rreth 250 pasagjerë kur doli nga shinat pranë zonës Nizanda.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, njoftoi në rrjetin social X se pesë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike shëndetësore. Ajo shtoi se zyrtarë të lartë janë dërguar në vendngjarje për të ndihmuar familjet e viktimave dhe se ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Ngushëllime për familjarët e viktimave shprehu edhe guvernatori i shtetit Oaxaca, Salomon Jara Cruz.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë punonjësit e emergjencave duke kryer operacione shpëtimi mes mbetjeve të trenit të aksidentuar.
Treni Interoceanic u inaugurua në vitin 2023 nga ish-presidenti Andres Manuel Lopez Obrador, aleat politik i Sheinbaum. Projekti synonte zhvillimin e juglindjes së Meksikës dhe krijimin e një korridori strategjik mallrash që lidh Oqeanin Atlantik me atë Paqësor, në konkurrencë me Kanalin e Panamasë.
Megjithatë, ky projekt, ashtu si edhe Treni Maya, ka qenë objekt kritikash për ndikime mjedisore dhe sociale. Më herët janë regjistruar edhe incidente të tjera në këtë linjë, përfshirë një përplasje me një kamion më 20 dhjetor, pa pasoja fatale.