Vendosni fjalën kyçe....

Salianji: Koha e këtij pushteti ka mbaruar, për të sjellë rotacionin PD-ja duhet të reformohet


Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji thekson se është përgjegjësia e PD-së që të sjellë rotacionin dhe të largojë qeverinë e korruptuar të kryrministrit Rama.

Teksa ka komentuar takimin e mbrëmjes së djeshme në Shkodër, pjesë e turit të takimeve në Shqipëri që ka nisur, ai thekson se për ta përmbushur misionin, PD-ja duhet të ndryshojë, të reformohet e hapet ndaj shoqërisë.

Me mirënjohjen më të thellë për pritjen entuziaste në Shkodër.

Partia Demokratike duhet të sjellë rotacionin dhe kjo është një përgjegjësi historike!

Një  Kryeministër që nuk mban përgjegjësi për ekipin e tij, nuk është udhëheqës, por thjesht përfitues. Pushteti i tij imoral dhe pa përgjegjësi është rreziku më i madh i demokracisë shqiptare, për të ardhmen, për Shqipërinë e ndershme, dhe kjo nuk duhet lejuar.

Rotacioni nuk është as hakmarrje e as luks. Rotacioni është oksigjen për demokracinë. Është pritshmëria e të gjithë shqiptarëve.

Partia Demokratike ka brenda vetes fuqinë për ta realizuar këtë. Për të përmbushur këtë pritshmëri historike Partia Demokratike duhet të ndryshojë, të reformohet, të hapet ndaj shoqërisë. Të fitojë!

Takimet tona nuk janë  thjesht një fushatë për këtë qëllim. Ato janë një përballje morale. Mes arrogancës dhe dinjitetit. Mes frikës dhe guximit. Mes së vjetrës që mban peng dhe së resë që çliron.

Koha e këtij pushteti ka mbaruar.

Ky ishte mesazhi i fuqishëm që u dha në Shkodër dhe ne nuk do të ndalojmë asnjë moment, do të shkelim në çdo pëllëmbë të Shqipërisë për të bashkuar demokratët me shqiptarët!

Koha e ndryshimit ka ardhur. Mirënjohje përjetë për miqtë e mi të vyer shkodranë.” – shkruan Salianji.