Vendosni fjalën kyçe....

“Nga rrugët e Athinës në jahtet luksoze” – Berisha akuzon Ballukun për pasuri marramendëse


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë një fjalimi para mbështetësve të Foltores demokrate në qytetin e Korçës, duke e akuzuar atë për pasurim të paligjshëm dhe vjedhje të pasurive publike.

Berisha deklaroi se Balluku ka kaluar, sipas tij, nga një punëtore e thjeshtë në Greqi, ku punonte si babysitter, në një milionere brenda pak vitesh, duke shfrytëzuar pushtetin dhe taksat e qytetarëve shqiptarë. Ai përmendi si pasuri të saj 300 apartamente, 15 supermarkete dhe dy jahte, të cilat, sipas Berishës, janë përfituar gjatë periudhës së qeverisjes.

“300 apartamente, e shikoni ju. Lubia që mezi siguronte bukën në rrugët e Athinës si babysitter, tani u vodhi shqiptarëve 300 apartamente. Dhe si? Na ndërtoje ti këtë rrugë dhe do m’i kthesh në apartamente. Me dy jahte, me 15 supermarkete”, u shpreh Berisha nga podiumi.

Ai theksoi se Belinda Balluku ndodhet aktualisht nën akuzë dhe e pandehur nga SPAK dhe GJKKO, ku, sipas tij, është vendosur edhe masë sigurie, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për mbrojtje politike dhe pengim të drejtësisë.

Në vijim, Berisha u ndal te çështja e imunitetit dhe marrëdhënia e pushtetit me organet e drejtësisë, duke krahasuar situatën aktuale me periudhën e qeverisjes së Partisë Demokratike.

“Sot na thonë nuk ia heqim imunitetin, gjykata s’ka ç’i bën, jo po ligji. Një sjellje e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Në qeverisjen tonë, edhe pse e kishim armike prokuroren Ina Rama, nuk na shkonte kurrë në mendje të mos hiqnim imunitetin e deputetëve sipas kërkesës së drejtësisë”, deklaroi ai.

Berisha solli si shembull edhe rastin e ish-presidentit Ilir Meta, duke thënë se pavarësisht manipulimeve të asaj kohe, ai dha dorëheqjen dhe u përball me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.

“Ai tha do e faktoj si qytetar i thjeshtë dhe do shkoj në prokurori. Kurse këta sot thonë: jam kryeministër, do vjedh siç kam vjedhur. Absolutisht do e përmbysim këtë regjim, siç përmbysëm shtatoren e Enver Hoxhës”, u shpreh Berisha.