
Izraeli u bë të premten vendi i parë që njeh zyrtarisht Republikën e vetëshpallur të Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran, një vendim që mund të riformësojë dinamikat rajonale dhe të vërë në provë kundërshtimin e kahershëm të Somalisë ndaj shkëputjes së këtij territori.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të kërkojë bashkëpunim të menjëhershëm me Somalilandin në bujqësi, shëndetësi, teknologji dhe ekonomi.
Në një deklaratë, ai përgëzoi presidentin e Somalilandit, Abdirahman Mohamed Abdullahi, vlerësoi lidershipin e tij dhe e ftoi atë për një vizitë në Izrael, përcjell Reuters.
Netanyahu tha se deklarata “është në frymën e Marrëveshjeve të Abrahamit, të nënshkruara me nismën e presidentit Trump”. Marrëveshjet e vitit 2020 u ndërmjetësuan nga administrata e parë e Trump-it dhe përfshinin formalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, me vende të tjera që u bashkuan më vonë.
Netanyahu, ministri i Jashtëm Gideon Saar dhe presidenti i Somalilandit nënshkruan një deklaratë të përbashkët për njohje reciproke, thuhet në deklaratën izraelite.
Abdullahi tha në një deklaratë se Somaliland do t’i bashkohej Marrëveshjeve të Abrahamit, duke e quajtur këtë një hap drejt paqes rajonale dhe globale.
Ai tha se Somaliland është i përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve, rritjen e prosperitetit të ndërsjellë dhe promovimin e stabilitetit në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën.
Ndërkohë, Egjipti tha se ministri i Jashtëm Badr Abdelatty zhvilloi të premten biseda telefonike me homologët e tij nga Somalia, Turqia dhe Xhibuti për të diskutuar, sipas tyre, zhvillime të rrezikshme në Bririn e Afrikës pas njoftimit të Izraelit.
Ministrat dënuan njohjen e Somalilandit nga Izraeli, riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë për unitetin dhe integritetin territorial të Somalisë dhe paralajmëruan se njohja e rajoneve shkëputëse përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, tha Ministria e Jashtme egjiptiane.
Somaliland ka gëzuar autonomi efektive – dhe paqe e stabilitet relativ – që nga viti 1991, kur Somalia u zhyt në luftë civile, por rajoni i shkëputur nuk ka arritur të marrë njohje nga asnjë vend tjetër.
Me kalimin e viteve, Somalia ka mobilizuar aktorë ndërkombëtarë kundër çdo vendi që do të njihte Somalilandin.
Ish-protektorati britanik shpreson se njohja nga Izraeli do të nxisë vende të tjera të ndjekin të njëjtën rrugë, duke rritur peshën e tij diplomatike dhe aksesin në tregjet ndërkombëtare.
Në mars, Somalia dhe rajoni i saj i shkëputur, Somaliland, mohuan gjithashtu se kishin marrë ndonjë propozim nga Shtetet e Bashkuara apo Izraeli për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, me Mogadishun që tha se e kishte refuzuar kategorikisht çdo lëvizje të tillë.