
Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë i Partisë Demokratike, Enri Çeno, ka hedhur akuza të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke folur për lidhje të dyshuara mes kompanisë “KAYO” dhe një personi që ai e përshkroi si shumë të afërt me kryeministrin.
I ftuar në “Programin e Drekës” me Ola Brukon në News24, Çeno komentoi situatën politike në vend, marrëdhëniet e Partisë Demokratike me ndërkombëtarët, si dhe protestën e 22 dhjetorit para Kryeministrisë për atë që PD e cilëson si “skandali Balluku”.
Gjatë bisedës, Çeno deklaroi se kompania “KAYO” lidhet, sipas tij, me një shtetas hebre të quajtur Ron Yeffet, i cili, siç pretendoi, ka marrëdhënie shumë të afërta me kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Sipas Çenos, kjo afërsi ka ndikuar edhe në marrëveshje të rëndësishme shtetërore, përfshirë ato që lidhen me prodhimin e armatimeve.
Ai u shpreh se Ron Yeffet, të cilin e cilësoi si përfaqësues të komunitetit hebre dhe si koordinator të investitorëve strategjikë, ka pasur një rol kyç në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe investimet e huaja në Shqipëri.
Çeno pretendoi se Yeffet posedon pasaportë amerikane dhe shqiptare dhe se ka qenë ndër personat që kanë ndërmjetësuar marrëveshje me qeverinë shqiptare.
“Kur siguria kibernetike i lihet në dorë një grupi kriminal, shteti ka rënë. Flitet deri tani për Agasin që cilësohet si koordinator i krimit të organizuar nga Ahmetaj, por Rama dhe qeveria kanë një koordinator tjetër për të cilin nuk flitet askund. Koordinator i investitorëve strategjikë, përfaqësues i komunitetit hebre, Ron Yeffet,” deklaroi Çeno në studio.
Sipas tij, marrëveshjet e këtij personi me kryeministrin Rama kanë sjellë edhe përplasjet e para mes qeverisë shqiptare dhe institucioneve amerikane.
Çeno pretendoi gjithashtu se, në bashkëpunim me struktura të reja në Ministrinë e Mbrojtjes, janë ndërmarrë veprime që lidhen drejtpërdrejt me prodhimin e armatimeve dhe me kompaninë “KAYO”, ku, sipas tij, ky grup interesi ka aksione.
Ai akuzoi se ky grup ka nisur të ushtrojë presion dhe të “gjobisë” investitorë të tjerë të huaj, përfshirë investitorë të mëdhenj europianë dhe amerikanë, me interesa në sektorë si energjia dhe minierat.
“Është ky personazh që ka mbajtur marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me investimet e huaja. Janë marrëveshjet tij me Ramën që krijuan edhe përplasjet e para me institucionet amerikane. Në bashkëpunim me institucionet e reja në Ministrinë e Mbrojtjes, bëri atë që u bë me prodhimin e armatimeve, që lidhet drejtë për drejtë me ju. Këto kanë aksione në kompaninë KAYO. Zotëria me grupin e interesit të tij, kanë nisur të gjobisin edhe investitorët e tjerë, investitorë të mëdhenj europianë dhe amerikanë. Në fushën e Investimeve strategjike bënte atë që bën Agasi. tha Çeno.
Sipas tij, kryeministri Rama, ka qëndruar gjithashtu në shtëpinë e Ron Yeffet në New York, ka marrë pjesë në dasmën e vajzës së tij dhe në funeralin e babait, ndërsa Belinda Balluku ka qenë e ftuar në rezidencën e pushimit të këtij personi në Greqi.
Në deklaratat e tij, Çeno shkoi edhe më tej, duke pretenduar se biseda mes Ramës dhe Ron Yeffet janë përgjuar nga shërbimet amerikane dhe izraelite.
“Është përgjuar biseda e tij me Ramën nga shërbimet izraelite dhe amerikane.Çfarë është zbardhur nuk më takon mua ta them, por këto janë informacione jo të sajuara. Viti 2026 do të jetë një vit shumë problematik dhe Rama duhet të ndihet i rrezikuar,” u shpreh Çeno.